Kur e ardhmja ju tremb: Këshillat e psikologes Enertila Bekteshi
Dritare.net

Përshëndetje Dritare.net dhe psikologe Enertila!
Unë që ju drejtohem sot kam një nevojë serioze për të rregulluar diçka te vetja ime. Shpesh kam frikë nga e ardhmja. Kam pasiguri për të ardhmen dhe dua të më ndihmoni: çfarë mund të di apo të bëj që ta kapërcej këtë frikë, e cila më vjen shpesh? Faleminderit!
Psikologe Enertila Bekteshi përgjigjet:
Frika nga e ardhmja është një formë e ankthit dhe bëhet problem kur, në vend që të na përgatisë për veprim, bllokon të tashmen përmes përtypjes së mendimeve. Të ndihesh i bllokuar përballë pasigurisë është një përvojë thellësisht njerëzore. Frika nga e ardhmja është, para së gjithash, një emocion. Dhe si të gjitha emocionet themelore, ajo ka një logjikë të thellë: të na sinjalizojë se diçka e rëndësishme është në rrezik, të na shtyjë të kushtojmë vëmendje dhe të përgatitemi. Kjo situatë është një formë ankthi paraprak. Kjo frikë është më e thellë nga sa duket dhe të kuptuarit se nga vjen mund të jetë hapi i parë për ta parë atë. Presioni social dhe krahasimi i vazhdueshëm i nxitur nga mediat sociale, përvojat e kaluara të dështimit, të kritikës ose të paparashikueshmërisë emocionale në familje, si dhe pasiguria ekonomike dhe e punës, e bëjnë të ardhmen më pak të qëndrueshme dhe mund të shndërrohen në ankth për të ardhmen.
E dashur lexuesja jonë, nuk ka formulë magjike për t’i kapërcyer frikërat nga e ardhmja. Qasja më efektive është ajo me hapa të vegjël, që shtohen me kalimin e kohës. Nga këndvështrimi im, si fillim do t’ju sugjeroja të ngadalësoni mendimet. Kur mendja juaj fillon të vërtitet me shpejtësi, përpiquni të ndaloni dhe të përqendroheni në atë që ju rrethon tani: atë që dëgjoni, atë që shihni, atë që prekni. Kur e kapni veten duke menduar në mënyrë katastrofike, sfidoni këto mendime. Kjo do t’ju ndihmojë jo të bindni veten se gjithçka do të shkojë mirë, por të ndaloni së trajtuari frikën si siguri.
E dashur lexuesja jonë, vendos qëllime të vogla dhe realiste. Në vend që të pyesësh veten se ku do të jesh pas dhjetë vitesh, përqendrohu në atë që mund të arrish këtë javë. Qëllimet e mëdha ndërtohen hap pas hapi. Jo gjithçka mund të parashikohet ose të kontrollohet dhe kjo vlen për të gjithë. Askush nuk i ka të qarta të gjitha, madje as ata që duken të sigurt, ndaj mëso ta tolerosh pasigurinë. Edhe lëvizja e trupit bën një ndryshim të vërtetë, lexuesja jonë. Një shëtitje, një vrapim, çdo formë lëvizjeje ndihmon në çlirimin e tensionit të akumuluar dhe në ndërprerjen e ciklit të përtypjes së mendimeve.
Të kuptosh se si t’i kapërcesh frikërat për të ardhmen nuk do të thotë t’i eliminosh ato plotësisht, por të mësosh të jetosh me to më lehtë. Shpresoj shumë që këndvështrimi im t’ju ndihmojë sadopak në situatën tuaj, lexuesja jonë. Gjithë të mirat!
/Dritare.net