Më bllokohen mendimet dhe kam mungesë përqendrimi, psikologia Bekteshi: Si të kthjelloheni!
Dritare.net

Përshëndetje Dritare.net dhe psikologe Enertila!
Prej kohësh po përjetoj një gjendje që më shqetëson. Më duket sikur mendimet më bllokohen, e kam të vështirë të përqendrohem dhe ndiej sikur truri më është mbuluar nga një mjegull. Nuk arrij të kem qartësi në mendime dhe nuk e kuptoj se nga se mund të shkaktohet kjo gjendje. Ju lutem, a mund të më shpjegoni se çfarë mund të jetë dhe si mund të veproj për ta përmirësuar?
Faleminderit!
Psikologe Enertila Bekteshi përgjigjet:
Kur mendja është e mbushur me mendime dhe momente të mjegullta, pasojat e para mund të ndihen pikërisht aty ku kalojmë pjesën më të madhe të kohës: në punë, në shkollë dhe në bisedat e përditshme.
Kjo gjendje e trurit mund të përkthehet në një rënie të dukshme të produktivitetit. Kur mendja është vazhdimisht e turbullt, ndjekja e një bisede mund të bëhet lodhëse dhe të përgjigjesh në një mënyrë të pranishme dhe të angazhuar duket si një përpjekje e madhe. Në këtë fazë mund të fillojnë shmangiet e situatave shoqërore, sepse të qenit me të tjerët kërkon energji që mund të mungojë në atë moment. Kjo tërheqje mund të nxisë një rreth vicioz.
Mjegulla e trurit është një përvojë e vërtetë, e njohur dhe e përhapur, që mund të ndikojë thellësisht në cilësinë e jetës suaj të përditshme. Të kuptuarit se nga vjen, çfarë e nxit dhe si ta adresoni është hapi i parë për të rifituar njëfarë qartësie.
Ngadalësimi në marrjen e vendimeve, vështirësia në gjetjen e fjalëve të duhura, mendimet e ngadalta dhe të hutuara, si dhe vështirësitë në përqendrim, janë disa nga shenjat e kësaj gjendjeje mendore.
Mendimet e turbullta mund të theksohen më tepër nga mungesa e gjumit cilësor, stresi kronik, mungesa e ushqyerjes së duhur, si dhe ankthi, i cili konsumon energjinë mendore.
Rifitimi i qartësisë nuk është çështje vullneti, por krijimi i kushteve të duhura që truri të funksionojë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Në këndvështrimin tim, e dashur lexuese, për të ndryshuar gjendjen tuaj, do t’ju sugjeroja si fillim një gjumë të rregullt. Të shkoni në shtrat dhe të zgjoheni në të njëjtën orë çdo ditë ndihmon trurin të konsolidojë informacionin dhe të rivendosë funksionet njohëse.
Lëvizja fizike përmirëson ndjeshëm kujtesën dhe përqendrimin. Frymëmarrja e thellë dhe pushimet e shkurtra gjatë gjithë ditës mund të ulin nivelet e kortizolit dhe t’i japin trurit pak hapësirë për të marrë frymë.
E dashur lexuese, një dietë e pasur dhe pirja e mjaftueshme e ujit gjatë gjithë ditës kanë gjithashtu më shumë rëndësi nga sa mund të mendoni.
Leximi, lojërat logjike ose thjesht organizimi i aktiviteteve tuaja me shkrim mund ta mbajnë mendjen aktive pa e mbingarkuar atë.
Me kalimin e kohës dhe krijimin e kushteve të duhura, kjo gjendje mund të përmirësohet dhe qartësia mund të rikthehet. Mjegulla e trurit mund të duket si një shoqëruese e vazhdueshme, diçka me të cilën mësojmë të jetojmë, por në shumë raste mund të kapërcehet.
Shpresoj shumë që këndvështrimi im t’ju ndihmojë sadopak në situatën tuaj, e dashur lexuese.
Gjithë të mirat!
/Dritare.net