Na ndiqni edhe në

Letër Psikologes

Djali 8-vjeçar zgjohet natën duke bërtitur dhe përjeton makthe. Këshilla e psikologes!

Djali 8-vjeçar zgjohet natën duke bërtitur dhe përjeton

Përshëndetje Dritare.net dhe psikologe Enertila!

Jam një nënë e cila prej kohësh është e shqetësuar për djalin e saj 8-vjeçar, pasi ai nuk bën një gjumë të qetë. Gjatë natës zgjohet duke bërtitur, merr frymë me vështirësi dhe ankohet se sheh ëndrra të këqija, të cilat i shkaktojnë ankth dhe frikë.

Nuk di si të veproj për ta ndihmuar. Mundohem ta qetësoj, por kjo gjendje përsëritet shpesh. Çfarë mund të bëj për ta ndihmuar të flejë më i qetë?

Faleminderit!

Psikologia Enertila Bekteshi përgjigjet:

Makthi, në vetvete, nuk është një patologji, por është e rëndësishme të tregohet kujdes, pasi në disa raste mund të jetë shfaqje e frikërave apo simptomë e një konflikti të brendshëm që fëmija e përjeton në mënyrë të pavetëdijshme.

Kur fëmija juaj zgjohet gjatë natës, ju mund ta ndihmoni duke i ofruar siguri, mbrojtje dhe qetësi. E dashur lexuese, merreni fëmijën në krahë, ofrojini një gotë ujë dhe qëndroni pranë tij. Është shumë e rëndësishme të mos e qortoni dhe të mos e bëni të ndihet fajtor për atë që po përjeton.

Nëse, nga ana tjetër, fëmija vazhdon të flejë, por shfaq shenja të një gjumi të shqetësuar, do të ishte mirë të mos e zgjoni. Mund t'i jepni mundësinë t'i kalojë vetë këto episode, ndërsa i transmetoni praninë dhe sigurinë tuaj përmes kontaktit fizik, si për shembull duke u shtrirë pranë tij, duke i mbajtur dorën ose duke i përkëdhelur kokën.

Gjithashtu, është e rëndësishme të bisedoni me të voglin dhe të përpiqeni të kuptoni nëse diçka e shqetëson. Nxiseni të flasë për makthet dhe për ndjesitë që përjeton. Nëse vini re se shqetësimet lidhen me ngjarje apo probleme të jetës së përditshme, mund të përpiqeni të përshtatni ritmin e aktiviteteve të tij gjatë ditës.

Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim luajnë edhe mënyra e shëndetshme e jetesës dhe ushqyerja e mirë, të cilat ndihmojnë në mirëqenien e përgjithshme dhe në ruajtjen e një gjumi të rregullt.

Nëse problemi lidhet me mbingarkesën dhe mbistimulimin, këshilla ime është të ngadalësoni ritmin e aktiviteteve përpara gjumit dhe të krijoni momente relaksuese, si leximi i një libri apo tregimi.

Është thelbësore të krijoni një rutinë të qëndrueshme, të ndërtuar së bashku me fëmijën, me zakone dhe rituale të vogla që përsëriten çdo mbrëmje. Kjo do ta ndihmojë të ndihet më i sigurt dhe të përgatitet për një gjumë të qetë.

Momenti i gjumit është shumë i rëndësishëm, ndaj përpiquni të krijoni një mjedis të qetë dhe të këndshëm. Një ide e mirë mund të jetë t'i tregoni, me zë të ulët dhe të butë, histori të vogla të shpikura, që rikujtojnë momentet më të bukura dhe domethënëse të ditës së tij. Në këtë mënyrë krijohet një vazhdimësi pozitive mes zgjimit dhe gjumit, duke e ndihmuar fëmijën të flejë më i qetë dhe të presë me pozitivitet ditën e ardhshme.

Shpresoj që këndvështrimi im t'ju ndihmojë sadopak në këtë situatë, e dashur lexuese.

Gjithë të mirat!/Dritare.net