Na ndiqni edhe në

Shqip

Agim Vinca: Arbëreshët, 500 vjet me gjuhën e Skënderbeut. Ja si e ruajtën!

Agim Vinca: Arbëreshët, 500 vjet me gjuhën e Skënderbeut. Ja

Profesori dhe poeti Agim Vinca sapo është kthyer nga Kalabria. Atje mori pjesë në konferencën shkencore kushtuar At Antonio Belushit, figurës së shquar të arbëreshëve. Në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në Dritare TV, Vinca foli për arbëreshët dhe për gjuhën e tyre. Foli edhe për njeriun që, sipas tij, i kushtoi jetën mbledhjes së “gjakut të shprishur” shqiptar nëpër botë.

Konferenca u mbajt nga 6 deri më 9 nëntor në Frasnitë, në dyvjetorin e ndarjes nga jeta të At Belushit. E organizoi Qendra e Studimeve dhe Publikimeve Arbëreshe. Sipas Vincës, fakti që arbëreshët kanë ruajtur gjuhën, kulturën, traditën dhe kujtesën historike për më shumë se 500 vjet “është diçka e paparë në botë”. Ai e shpjegon këtë me tri arsye. E para, pas vdekjes së Skënderbeut u shpërngul në Itali aristokracia, njerëz të lidhur ngushtë me atë që arbëreshët e quajnë “moti i madh”. E dyta, riti i tyre bizantin i lidhur me Vatikanin i dalloi nga italianët e ritit latin. E treta, ata kanë një lidhje shpirtërore të jashtëzakonshme me epokën e Skënderbeut.

“Në çdo katund arbëresh ka një shesh ku është busti i Skënderbeut”, tha Vinca. Ai shtoi se arbëreshët ende përdorin fjalën e vjetër “katund” dhe jo “fshat”. Vinca solli edhe fjalët e Simon Shuteriqit për poezinë arbëreshe: “Lexoje arbërisht. Është si të flasësh me Skënderbeun.”

Në studio Vinca nxori një fotografi 56-vjeçare. Në të duket ai vetë, 23 vjeç, student i vitit të katërt, gjatë vizitës së parë në katundet arbëreshe të Kalabrisë. Ai tregoi se grupi i 25 studentëve udhëtoi me autobus nga Prishtina, nëpërmjet Çakorit dhe Tivarit, deri në Bari e më pas në Kozencë. “Ata habiteshin: Fjasin si na”, kujtoi Vinca.

Profesori theksoi se Rilindja Kombëtare Shqiptare nisi në kolonitë arbëreshe të Italisë. Si shembull përmendi “Këngët e Milosaos” të Jeronim De Radës, botuar më 1836, që sipas tij është vepra e parë e romantizmit shqiptar.

Vinca tregoi edhe një ngjarje pak të njohur nga jeta e At Belushit. Në fillim të viteve ‘90, në Ohër, autoritetet lokale e arrestuan priftin arbëresh ndërsa fotografonte rrapin e lashtë në qendër të qytetit. Vinca, që ndodhej me pushime në Strugë, iu drejtua deputetit të Strugës dhe pas dy orë e gjysmë Bellushi u lirua. “Ai nuk është stepur, ka vazhduar misionin e tij të kërkimit të rrënjëve shqiptare”, tha Vinca.

Ai foli edhe për shtatoren e Belushit në Frasnitë. Sipas tij, shtatorja u ngrit me rreth 30 mijë euro të mbledhura nga disa shqiptarë të Kosovës që jetojnë në Zvicër. “Nuk e ka bërë as Shqipëria, as Kosova”, tha ai.

Vinca u bëri thirrje institucioneve, akademive dhe universiteteve shqiptare që të jenë më të pranishme te arbëreshët. “Çdo kontakt me shqiptarët u jep një lloj impulsi atyre”, tha ai. Në fund të bisedës e cilësoi veten “një shërbëtor i zonjës së madhe që quhet gjuha shqipe”./dritare.net