Rama për Kosovën: Nuk ka më kthim pas, sa më shpejt ta kuptojnë serbët aq më mirë për ta
Dritare.net

I pyetur se si mund të kontribuojë Shqipëria për paqen në Ballkanin Perëndimor, sidomos me tensionet mes Serbisë dhe Kosovës, Rama tha në Forumin e Paqes:
“Mund të them me krenari që Shqipëria ka qenë gjithnjë vend paqedashës dhe gjatë 10 viteve të fundit jemi përpjekur të jemi shumë aktivë në nxitjen e paqes dhe të bashkëpunimit me të gjithë në rajon. Ka disa gjëra që mund të jesh sa i lirë të duash, por që s’mund t’i zgjedhësh. Nuk i zgjedh dot as kushërinjtë, as fqinjët. Çështje fati. Fqinjët janë aty ku janë. Do të jenë gjithmonë aty. Nuk do të shkojnë asgjëkundi. Kështu që më mirë të përpiqesh të shkosh mirë me fqinjin, sepse në të kundërt pastaj gjen bela. Gjyshja ime thoshte, fqinj i lumtur bën një shtëpi të lumtur, e kundërta është shumë sfiduese. Jemi përpjekur të bëjmë gjithçka kemi mundur, me një farë shkalle suksesi.”
“Por sa i takon çështjes së Serbisë dhe Kosovës mbetet një pikëpyetje, sepse edhe në raport me BE-në dhe Serbinë duket sikur gjërat nuk janë më mirë. Ndërkohë që Kosova është një shtet i pavarur, një shtet që njihet nga shumë vende, ende jo nga të gjithë, nuk ka më kthim pas, nuk ka asnjë mënyrë për ta kthyer në një fantazi të re serbe. Kështu që siç e kam thënë gjithmonë, sa më shpejt që serbët të kuptojnë se duhet ta shohin si një fakt jete, aq më mirë do të jetë për ta, sepse nuk do të përndiqen nga kjo fantazmë që nuk po i lë të normalizohen plotësisht sa i takon marrëdhënieve në rajon”, tha Rama./K.C/dritare.net