Mesazhe të rreme në emër të institucioneve, Policia paralajmëron qytetarët!
Dritare.net

Policia e Shtetit ka paralajmëruar qytetarët për një valë të re mashtrimesh elektronike, përmes mesazheve SMS që synojnë vjedhjen e të dhënave personale dhe bankare.
Sipas Policisë, autorët e këtyre skemave përdorin në mënyrë të paligjshme emrat e institucioneve publike, si Bashkia e Tiranës, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) dhe Posta Shqiptare, për t’i bërë mesazhet të duken të besueshme.
Kjo formë mashtrimi, e njohur si “smishing”, funksionon përmes dërgimit të SMS-ve që përmbajnë lidhje drejt faqeve të falsifikuara. Qytetarët që klikojnë në këto lidhje nxiten të plotësojnë të dhëna personale, numra kartash bankare apo informacione të tjera konfidenciale.
Policia u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes, të mos hapin lidhje të dyshimta dhe të mos japin të dhënat e tyre bankare përmes mesazheve të tilla.
Qytetarët këshillohen gjithashtu të verifikojnë çdo njoftim në kanalet zyrtare të institucioneve dhe të raportojnë rastet e dyshimta pranë autoriteteve.
"Vijojnë fushatat e mashtrimit përmes mesazheve SMS. Policia e Shtetit apelon: Mos vendosni të dhënat tuaja bankare në faqe të dyshimta!
Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit ka evidentuar fushata të reja mashtrimi përmes mesazheve SMS (smishing), të cilat po u dërgohen qytetarëve duke përdorur në mënyrë të rreme emërtimet e institucioneve dhe shërbimeve publike shqiptare.
Këto fushata vijnë në vijim të rasteve të evidentuara më parë, ku autorët, duke u prezantuar në mënyrë të rreme si institucione bankare, kanë tentuar të mashtrojnë qytetarët përmes faqeve të falsifikuara të internetit, me qëllim përvetësimin e të dhënave të tyre personale dhe bankare.
Nga monitorimi i fundit janë evidentuar mesazhe që paraqiten në emër të:
* Bashkisë Tiranë / Shërbimit të Parkimit, duke pretenduar ekzistencën e tarifave të papaguara të parkimit;
* DPSHTRR-së, duke njoftuar për shkelje të qarkullimit rrugor dhe gjoba të papaguara;
* Postës Shqiptare, duke pretenduar se qytetarët duhet të përditësojnë adresën për të mundësuar dorëzimin e pakove postare.
Në këto raste, mesazhet përmbajnë lidhje elektronike (linke), të cilat i orientojnë qytetarët drejt faqeve të falsifikuara të internetit, që imitojnë faqet zyrtare të institucioneve përkatëse.
Qëllimi i këtyre fushatave është mashtrimi i qytetarëve për të siguruar të dhënat e tyre personale dhe bankare, përfshirë numrin e kartës bankare, datën e skadencës, kodin e sigurisë (CVV/CVC) dhe kodet e verifikimit, të cilat mund të përdoren për kryerjen e transaksioneve të paautorizuara dhe përvetësimin e parave nga llogaritë bankare.
Autorët përdorin njoftime për detyrime të papaguara, afate të shkurtra kohore apo probleme me dërgesat postare, duke krijuar ndjesinë e urgjencës për t’i nxitur qytetarët të veprojnë pa verifikuar vërtetësinë e mesazheve.
Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve:
* Mos klikoni në lidhje të dyshimta të dërguara përmes SMS-ve, pavarësisht institucionit në emër të të cilit paraqiten.
* Mos vendosni të dhënat e kartave bankare, kodet CVV/CVC apo kodet e verifikimit në faqe të hapura përmes këtyre mesazheve.
* Verifikoni çdo njoftim për pagesa gjoba.", thuhet në njoftim./K.C/dritare.net