Ky është sabotim! Hegseth shpërthen pas kërkesës për shkarkimin e tij
Dritare.net
“Ky është sabotim!” Ministri amerikan i Mbrojtjes përballet me kërkesën për shkarkim për luftën në Iran
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka reaguar ashpër ndaj nismës për shkarkimin e tij, të ndërmarrë nga një kongresmen republikan për shkak të rolit të Pentagonit në luftën kundër Iranit. Gjatë një konference për shtyp në Pentagon këtë të martë, Hegseth e cilësoi përpjekjen për shkarkimin e tij si një farsë politike dhe një akt sabotimi ndaj forcave të armatosura amerikane.
“Ky nuk është patriotizëm. Ky është sabotim”, deklaroi Hegseth, duke argumentuar se një nismë e tillë u dërgon kundërshtarëve të Shteteve të Bashkuara mesazhin se Uashingtoni është i gatshëm të ndëshkojë drejtuesit e tij ushtarakë për operacionet që ata i konsiderojnë të ligjshme.
Reagimi erdhi një ditë pasi kongresmeni republikan Thomas Massie, nga Kentaki, paraqiti në Dhomën e Përfaqësuesve tetë akuza për nisjen e procedurës së shkarkimit të Hegseth. Massie e akuzon kreun e Pentagonit për tejkalim të kompetencave dhe për zhvillimin e operacioneve ushtarake kundër Iranit pa miratimin e Kongresit, në kundërshtim me legjislacionin amerikan për kompetencat e luftës.
Akuzat përfshijnë gjithashtu veprimet ushtarake amerikane në Jemen dhe Venezuelë, si dhe operacionet kundër anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe dhe Paqësor. Hegseth i hodhi poshtë akuzat, duke mbrojtur vendimet e marra gjatë drejtimit të Pentagonit.
“Unë qëndroj pas secilit prej këtyre operacioneve. Kam qenë krenar që i kam zbatuar dhe do t'i bëja sërish nesër”, deklaroi ai.
Kjo përplasje vjen vetëm pak ditë pas humbjes së rëndë të republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, rezultat që disa drejtues të partisë e kanë lidhur me luftën në Iran dhe pasojat e saj ekonomike.
Ndërkohë, presidenti Donald Trump ka dalë publikisht në mbrojtje të Hegseth, duke vlerësuar punën e tij dhe duke sulmuar kongresmenin republikan që kërkon shkarkimin.
Dhoma e Përfaqësuesve mund ta shqyrtojë nismën që këtë javë. Megjithatë, nisja e procedurës nuk nënkupton largimin automatik të Hegseth nga detyra. Për shkarkimin përfundimtar do të kërkohej edhe një vendim i Senatit me shumicë prej dy të tretash./dritare.net