Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Përdorimi i tepërt i telefonit mund të dëmtojë kyçet e duarve

Përdorimi i tepërt i telefonit mund të dëmtojë

Përdorimi i vazhdueshëm i telefonit inteligjent mund të shkaktojë dhimbje dhe probleme në kyçet e duarve, gishtat dhe qafë. Lëvizjet e përsëritura gjatë shkrimit të mesazheve dhe lëvizjes në ekran mund të krijojnë tendosje të vazhdueshme, e cila me kalimin e kohës mund të sjellë shqetësime fizike.

Sipas një artikulli të CNN, ndër problemet që lidhen me përdorimin e tepërt të telefonit janë gishti që bllokohet gjatë përkuljes (trigger finger), inflamacioni i tendinave pranë gishtit të madh, i njohur si tenosinoviti De Quervain, si dhe sindroma e tunelit karpal, që shkaktohet nga shtypja e një nervi në kyçin e dorës.

Kirurgia ortopede Ariel Williams, e specializuar në trajtimin e duarve dhe gjymtyrëve të sipërme në Yale Medicine, thotë se gjithnjë e më shumë pacientë raportojnë se përdorimi i telefonave ka përkeqësuar simptomat ose ka ndikuar në shfaqjen e problemeve të tyre.

Shqetësimet nuk kufizohen vetëm te duart. Qëndrimi për një kohë të gjatë me kokën të përkulur drejt telefonit apo laptopit mund të shkaktojë atë që njihet si “tech neck”, me simptoma si dhimbje dhe ngurtësi në qafë, kufizim të lëvizjeve, dhimbje koke dhe lodhje.

Fizioterapistja Kelly Robinson thekson se përkulja e qafës për të parë ekranin rrit ngarkesën mbi strukturat e saj, duke shtuar rrezikun e shqetësimeve fizike.

Për të parandaluar këto probleme, ekspertët këshillojnë përdorimin e alternuar të të dyja duarve gjatë mbajtjes së telefonit, rregullimin e pozicionit të karriges dhe ekranit të kompjuterit në nivelin e syve, si dhe ushtrime të lehta për shpinën, qafën dhe duart.

Ata rekomandojnë gjithashtu shmangien e qëndrimeve të gjata në të njëjtin pozicion dhe ndërprerjen periodike të përdorimit të pajisjeve elektronike për të reduktuar tendosjen e përsëritur./L.F-dritare.net