Na ndiqni edhe në

Sport

Shqipëria përballet me Finlandën, Maran: Synojmë tri pikët, duhet t'ua shpërblejmë tifozëve mbështetjen!

Shqipëria përballet me Finlandën, Maran: Synojmë tri

Kombëtarja shqiptare përgatitet për përballjen me Finlandën, një sfidë e rëndësishme për kuqezinjtë, të cilët kërkojnë të lënë pas humbjen në Helsinki dhe të marrin tri pikët në grupin C1.

Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes, trajneri Maran u shpreh optimist për paraqitjen e skuadrës, duke theksuar se objektivi i vetëm është fitorja.

“Mua më intereson Shqipëria dhe synimi im është të marrim tri pikët. Sigurisht, edhe trajneri i Finlandës mund të thotë të njëjtën gjë, por unë kam ekipin tim dhe objektivin tim. Ne duhet të jemi të bindur për atë që mund të bëjmë në fushë dhe të përqendrohemi te vetja”, deklaroi ai.

Trajneri u ndal edhe te mbështetja e tifozëve, duke theksuar se lojtarët kanë përgjegjësinë për t'ua shpërblyer besimin me një paraqitje dinjitoze.

“Si ekip, jemi të gatshëm dhe të përkushtuar për t’ua shpërblyer të gjithëve mbështetjen. I shoh të gjithë lojtarët që, sa herë vijnë këtu, duan të japin maksimumin. Ne duhet që mbështetjen e kaq shumë tifozëve ta justifikojmë në fushë”, tha Maran.

Sa i përket lojës individuale, ai theksoi se rëndësi ka rezultati i skuadrës dhe jo emri i lojtarit që shënon.

“Rëndësi ka fitorja dhe jo se kush shënon gol. Një skuadër e arrirë është ajo që kupton gabimet dhe gjen sërish rrugën e duhur”, u shpreh trajneri.

Duke analizuar përballjen e mëparshme me Finlandën, Maran tha se Shqipëria tregoi se mund ta kontrollojë lojën dhe të krijojë raste, edhe në kushte të vështira.

“Jam i bindur se mund ta bëjmë sërish atë që dimë dhe besoj se do ta tregojmë këtë nesër në fushë”, përfundoi ai./dritare.net