Spanja në kaos! Greva e parë pas 14 vitesh paralizon transportin dhe shërbimet
Dritare.net
Spanja po përballet me ndërprerje të shumta të shërbimeve si pasojë e grevës së parë të përgjithshme në 14 vitet e fundit. Mobilizimi ka shkaktuar probleme në funksionimin normal të vendit, ndërsa greva përbën një nga zhvillimet më të rëndësishme të protestës sindikale në Spanjë gjatë viteve të fundit.
Greva 24-orëshe, e organizuar nga dy sindikatat më të mëdha të vendit, UGT dhe CCOO, ka përfshirë transportin publik, shkollat, fabrikat dhe sektorë të tjerë të ekonomisë. Sipas sindikatave, rreth katër milionë punonjës kanë marrë pjesë në protestë, ndërsa organizatat e biznesit e kanë cilësuar pjesëmarrjen si të ulët dhe të pabarabartë.
Shkak i grevës është bërë kriza e strehimit dhe rritja e kostos së jetesës. Qiratë në Spanjë pothuajse janë dyfishuar gjatë dhjetë viteve të fundit, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë sigurimin e një banese, veçanërisht për të rinjtë.
Tensione janë regjistruar edhe në Madrid dhe Barcelonë, ku protestuesit kanë bllokuar rrugë dhe janë përplasur me policinë. Në disa zona janë përdorur goma të djegura për të penguar qarkullimin, ndërsa autoritetet kanë raportuar arrestime.
Greva zhvillohet më pak se tri javë përpara zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 29 nëntorit. Kryeministri Pedro Sánchez përballet me presion në rritje për krizën e banesave, ndërsa opozita akuzon sindikatat se po përpiqen të ndikojnë në rezultatin zgjedhor./dritare.net