Na ndiqni edhe në

Shqip

Agim Vinca për At Bellushin: Misionari që mblodhi “gjakun e shprishur” shqiptar nëpër botë

Agim Vinca për At Bellushin: Misionari që mblodhi “gjakun e

Profesori dhe poeti Agim Vinca sapo është kthyer nga Kalabria. Atje mori pjesë në konferencën shkencore kushtuar At Antonio Bellushit, priftit arbëresh që, sipas tij, i kushtoi jetën kërkimit të rrënjëve shqiptare. Në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në Dritare TV, Vinca e përshkroi Bellushin si “një udhëtar të pasionuar, një njeri që vazhdimisht ka qenë në lëvizje”.

Konferenca u mbajt nga 6 deri më 9 nëntor në Frasnitë, në dyvjetorin e ndarjes nga jeta të At Bellushit. E organizoi Qendra e Studimeve dhe Publikimeve Arbëreshe në Tiranë.

Sipas Vincës, Bellushi ishte prift me profesion, por edhe folklorist, etnograf dhe kulturolog. Ai shkeli të gjitha trojet shqiptare: katundet arbëreshe të Italisë, arvanitasit e Greqisë, Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Shkoi edhe te diaspora në Evropë, në Amerikë, deri në Kanada dhe Australi. “Gjithmonë i shoqëruar me aparatin fotografik dhe me magnetofonin”, tha Vinca. Belushi regjistronte këngë, rrëfime, proverba dhe vajtime, gjithçka që lidhej me kulturën e shqiptarëve të shpërndarë nëpër botë, të cilët arbëreshët i quajnë “gjaku i shprishur”.

Vinca tregoi se Bellushi ka zbuluar edhe “botën e padukshme” të arvanitasve të Greqisë. “Qeveria greke nuk i njeh minoritetet, po ata ekzistojnë”, tha ai.

Vinca tregoi një ngjarje që, sipas tij, njihet fare pak. Në fillim të viteve ‘90, Bellushi ndodhej në Ohër dhe po fotografonte rrapin e lashtë në qendër të qytetit. Autoritetet lokale e arrestuan. “Prift i veshur me rrobën e priftit, turist me pasaportë italiane”, kujtoi Vinca. Ai ndodhej me pushime në Strugë dhe iu drejtua deputetit të Strugës, të cilit i tha se ky ishte “skandal” dhe “turp për shtetin”. Pas dy orë e gjysmë Belushi u lirua.

“Ai nuk është stepur, nuk është ndalur, e ka vazhduar misionin e tij të kërkimit të rrënjëve shqiptare”, tha Vinca.

Vinca kujtoi vizitën e vitit 2004 në shtëpinë e Bellushit në Frasnitë, ku prifti jetonte me motrën. Në hyrje ishte argalia, avlëmendi i vjetër i tezgjahut, që i kujtoi Vincës nënën dhe motrat e tij. Sipas tij, Belushi “s’dinte ku të na vinte” dhe donte t’u tregonte gjithçka. Shtëpia e tij sot është shtëpi-muze. Në ballkon valojnë ende flamuri kombëtar dhe flamuri i Kosovës. “S’bën pa to”, tha Vinca.

Bellushi vinte rregullisht edhe në seminarin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare në Prishtinë, ku mori pjesë që në vitin 1978. Prej aty shkonte edhe në Maqedoni. Vinca tregoi gjithashtu se emri i tij haset në katër trajta: Antonio, Anton, Andon dhe Ndon. Miqtë e thërrisnin me përkëdheli “At Ndoni”.

Shtatorja e Bellushit në Frasnitë u ngrit, sipas Vincës, me rreth 30 mijë euro të mbledhura nga disa shqiptarë të Kosovës që jetojnë në Zvicër. “Nuk e ka bërë as Shqipëria, as Kosova”, tha ai. Pjesëmarrësit e konferencës e vizituan shtatoren dhe vendosën lule.

Në emision, Rudina Xhunga kujtoi takimin e saj me Bellushin në vitin 2011. Emisioni me të përkoi me ngjarjet e 21 janarit dhe ajo hezitoi ta transmetonte. Në fund vendosi ta transmetonte, sepse, siç tha, “ai u fliste shqiptarëve me gjuhën e dashurisë”.

Vinca e mbylli kumtesën e tij me fjalët e arvanitasit Aristidh Kola, mik i ngushtë i Bellushit. Kola e ka quajtur atë pasardhës të Skënderbeut dhe “të atyre që e lanë Morenë e bukur me lot”./dritare.net