Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Gonxhja takim me të rinjtë: Dialogu ka vlerë edhe kur nuk biem dakord

Gonxhja takim me të rinjtë: Dialogu ka vlerë edhe kur nuk biem


Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka zhvilluar një takim me të rinjtë në kuadër të mbledhjes së zgjeruar të Këshillit Kombëtar të Rinisë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gonxhja e cilësoi takimin si një bashkëbisedim të hapur dhe të sinqertë, ku nuk munguan pyetjet e vështira, kritikat dhe mendimet e ndryshme.

Ministri bëri të ditur se në fokus të diskutimeve ishin punësimi, meritokracia në administratën publike, besimi te institucionet, mbështetja për startupet dhe përfshirja e të rinjve në vendimmarrje. Ai theksoi se institucionet duhet të dëgjojnë edhe zërat kritikë, duke nënvizuar se e ardhmja e vendit ndërtohet përmes dialogut, mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë.

Postimi i plotë i ministrit Blendi Gonxhja:

"Sot, në mbledhjen e zgjeruar të Këshillit Kombëtar të Rinisë, patëm një bashkëbisedim të hapur, të sinqertë dhe pa dorashka me të rinjtë.

Një takim ku, përtej çështjeve të diskutuara, spikatën formimi, artikulimi, mendimi kritik dhe ndjeshmëria e një brezi që kërkon të dëgjohet, të përfshihet dhe të kontribuojë në të ardhmen e vendit.

Gonxhja takim me të rinjtë: Dialogu ka vlerë edhe kur nuk biem

Folëm për zhvillimet e fundit, besimin te institucionet, punësimin, meritokracinë në administratën publike, platformën “Fol me Kryeministrin”, mbështetjen për startupet dhe nismat rinore. Nuk munguan pyetjet e vështira, kritikat, skepticizmi, këndvështrimet e ndryshme si dhe kërkesa për t’u informuar më gjerë për politikat dhe programet institucionale.

Por dialogu nuk ka vlerë vetëm kur biem dakord. Përkundrazi, ai merr kuptimin e tij më të thellë kur dimë të dëgjojmë edhe atë që na vë në diskutim, kur kemi përulësinë për të reflektuar dhe dinjitetin për t’u përgjigjur me sinqeritet, argumente dhe përgjegjësi.

Të rinjtë nuk janë përballë nesh. Ata janë ne. Janë pjesë e së njëjtës shoqëri, e së njëjtës përpjekje dhe e së njëjtës shpresë për një Shqipëri më të mirë. Nuk duhet të ketë mure, hone apo ndasi mes brezave, mes institucioneve dhe qytetarëve, mes atyre që vendosin dhe atyre që kërkojnë me të drejtë të jenë pjesë e vendimmarrjes.", thuhet në postim./dritare.net