Një shpjegim i thjeshtë pse Berisha sulmon Klodianën
Dritare.net

Nga Mero Baze
Shpërthimi i Sali Berishës ndaj Klodiana Lalës ka një shpjegim. Nuk ka lidhje me punën e Klodianës si gazetare kundër PD, pasi ajo është një nga gazetaret më të spikatura opozitare. Por ka lidhje me identikitin e papërshtatshëm që ajo krijon si gazetare për opozitën.
E para, ajo ka qëndrime të ashpra kundër qeverisë, madje me gjithë klanet e saj, jo si disa të tjerë që janë në borderonë e një klani të PS dhe opozitarë për klanin tjetër.
Ky pozicion i heq Berishës mundësinë ta akuzojë si vegël të Edi Ramës.
E dyta, është gazetare e afërt me burime konfidenciale në SPAK, një institucion që Berishës i duhet të konsiderohet vegël e Edi Ramës, ndryshe penalizimi i mundshëm i tij mbetet pa ngjyrim politik.
E treta, Klodiana është mbështetësja kryesore nga gazetarët e revolucionit Flamingo. Madje është ngjitur në tribunë që në ditët e para të tij, të cilët nuk pranojnë Berishën në protestë dhe bëjnë thirrje që ai të jetë në burg.
Pra, ka tri cilësi të cilat Berishës i prishin shumë punë.
Duke qenë kundër Edi Ramës, pro opozitës, pro SPAK dhe pro flamingove, Berishës i prishet skema se si e do ai gazetarin armik. Ai e do pro Edi Ramës, pro SPAK dhe kundër opozitës. Duke qenë se Klodiana nuk ia përmbush këto kritere, por nga ana tjetër është kundër qeverisë dhe pro SPAK dhe opozitës së re, është identikiti i racës më të rrezikshme që rrezikon Berishën.
Kaq është e gjithë egërsia e tij. Sikur Klodiana, për shembull, të heqë dorë nga burimet e SPAK dhe të mos flasë më me aq adhurim për prokurorët e SPAK dhe të heqë dorë dhe nga flamingot, ka leje të jetë dhe pro Edi Ramës, se Berisha nuk i thotë gjë. Nuk ka gjë me ata që janë pro Edi Ramës, por me ata që janë aleatë të atyre që i rrezikojnë atij vazhdimin në politikë. Dhe aktualisht ka dy armiq: SPAK, që bën sikur mendohet për të, dhe flamingot. Nëse Klodiana nuk do të ishte pro këtyre dy të fundit, nuk do të kishte asnjë shqetësim. Kontributin e saj pro PD dhe mbështetjen në vite për të, Berisha nuk ua quan as demokratëve që ka në seli e jo më t’ia quajë Klodianës.
Prandaj mos u lodhni t’i kërkoni Berishës të kërkojë ndjesë apo gjëra të tjera të padëgjuara për të. Nuk e urren dhe as ka ndër mend ta rrahë apo ta vrasë, siç ka bërë me të tjerë. Do t’u thotë të tjerëve që ka rrotull se, po u bënë aleatë të SPAK dhe flamingove, ua zeron gjithë ç’kanë bërë për PD dhe për të. Nuk ka lidhje me Klodianën. Faji i saj është që mbron ata që i prishin punë vërtet Berishës dhe nuk ka rëndësi që është e egër me qeverinë. Ajo nuk i prish punë Berishës./tema.net