A jemi në mes të një krize të inteligjencës në marrëdhëniet njerëzore?
Dritare.net

Nga Tessa West*
Disa javë më parë, ndërsa po hyja në ndërtesën ku kam zyrën, punonjësi i sigurisë, i cili prej dekadash punon në Universitetin e Nju-Jorkut, doli me vrull nga kabina e tij. Ishte jashtëzakonisht i acaruar.
“ZONJUSHË, DUHET TË MË TREGONI KARTËN E IDENTIFIKIMIT!”
Studentja, pas së cilës ai nisi të vraponte, duhej ta dinte këtë, por vazhdoi të ecte, me sytë drejt përpara. Ai vazhdonte t’i përsëriste të njëjtën kërkesë, duke e ndjekur dhe duke ngritur gjithnjë e më shumë zërin.
Ishte e çuditshme të shihje dikë që e shpërfillte në këtë mënyrë punonjësin e sigurisë. Nuk po përpiqej ta shmangte, thjesht nuk e vinte re, sikur ai të mos ishte fare aty. Përfundimisht, ai e preku në shpatull. Reagimi i saj ngjante me një skenë të papritur frike në një film horror.
“Të gjithë janë kështu, si zombi”, më tha ai. “Ecën me ato kufje në vesh, krejtësisht të pavetëdijshëm për atë që ndodh përreth.”
Rreth 30 minuta më parë, kisha dhënë një intervistë për një gazetar mbi rënien e aftësive sociale në vendin e punës. Ai më bëri disa pyetje të njohura: Pse e kemi kaq të vështirë të menaxhojmë konfliktet? Pse është kaq i mundimshëm procesi i dhënies dhe marrjes së vlerësimeve?
I dhashë përgjigjet që kisha dhënë shumë herë më parë. Ndërthurja e pandemisë, e cila na bëri të gjithëve disi të çuditshëm në sjellje, e kohës së tepërt të kaluar në internet dhe e parapëlqimit për forma komunikimi që nuk kërkojnë ndërveprim në kohë reale, si posta elektronike, ka dobësuar aftësinë tonë për të përballuar sfidat sociale.
Inteligjenca në marrëdhëniet njerëzore, një cilësi që duket se e vlerësojmë shumë, ka pësuar një goditje të rëndë. Aspekte të saj mësohen në shumicën e shkollave britanike dhe amerikane, ndërsa ajo zë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në trajnimet profesionale.
Sot, jo vetëm që po eliminojmë zhurmën e ndërveprimeve sociale nga mjedisi ynë përmes kufjeve, por pothuajse nuk e shohim më njëri-tjetrin.
Pavarësisht përpjekjeve për ta përforcuar këtë aftësi, kam përshtypjen se gjërat po përkeqësohen. Pas intervistës, nuk mund të mos mendoja për studenten me kufje dhe për njerëzit e panumërt si ajo që ecin rrugëve të Nju-Jorkut.
Shpesh krijohet një lloj vallëzimi i sikletshëm, kur një kalimtar përpiqet të kalojë me mirësjellje pranë dikujt që mban kufje. Por kjo përpjekje nuk funksionon kurrë, sepse personi me kufje nuk e dëgjon dhe, me sa duket, as nuk e sheh atë. Turistët shpesh heqin dorë. Njujorkezët çajnë rrugën përpara.
Pyesja veten se sa i dobishëm mund të ishte një trajnim për aftësitë sociale për dikë që, sapo del nga dera e shtëpisë, vendos menjëherë kufjet në vesh.
Sepse pikërisht gjatë ndërveprimeve të përditshme, dhe jo përmes edukimit formal, ne i zhvillojmë, i përsosim dhe i ruajmë këto aftësi.
Në hapësirat publike ushtrohemi për të arritur marrëveshje pa përdorur fjalë, për shembull, se kush do të ulet në të vetmin vend të lirë në një kafene. Bashkërendojmë lëvizjet tona mes turmave për të shmangur përplasjet me njëri-tjetrin, shkëmbejmë herë pas here disa fjalë të sjellshme me të panjohur në park apo në stacionin e autobusit.
Ose, të paktën, kështu bënim dikur.
Prej dekadash, sociologët studiojnë mënyrën se si hapësirat e përbashkëta ndikojnë në zhvillimin e inteligjencës sonë në marrëdhëniet njerëzore.
Për shembull, ekziston një marrëveshje e pashkruar që njihet si “mosvëmendja qytetare”. Ajo krijohet kur i kushtojmë dikujt aq vëmendje vizuale sa për t’i bërë të ditur se e kemi vënë re praninë e tij, por jo aq shumë sa të dukemi shqetësues, gjykues apo tepër kureshtarë.
Ndoshta çdo ditë krijojmë qindra marrëveshje të tilla. Ato na ndihmojnë të orientohemi në botën fizike, duke mundësuar mirëkuptime të shpejta dhe të heshtura mes njerëzve.
Rrugët e qyteteve dhe metrotë janë të mbushura me ndërveprime të tilla, të cilat janë thelbësore për të mësuar të kuptojmë këndvështrime të ndryshme dhe të dallojmë normat e sjelljes shoqërore.
Por sot, jo vetëm që po eliminojmë ndërveprimet sociale nga mjedisi ynë, siç bënte studentja në ndërtesën ku punoj, por pothuajse nuk e shohim më njëri-tjetrin.
Si komunikimin verbal, ashtu edhe atë joverbal, e kemi zëvendësuar me gjithçka që shfaqet në ekranet e telefonave tanë. I mbajmë sytë të ngulur në to ndërsa shëtisim nëpër dyqane, kalojmë rrugën, udhëtojmë me metro, presim në radhë apo qëndrojmë në ashensor.
Nga viti 2005 deri në vitin 2019, numri i fjalëve që shqiptonim çdo ditë, si në bisedat me të panjohurit, ashtu edhe me miqtë e ngushtë, u pakësua mesatarisht me 338 fjalë në ditë për çdo vit që kalonte. Në të gjithë këtë periudhë, rënia arriti në 28%.
Edhe kontakti me sy duket se po bëhet më i rrallë. Rreth 62% e edukatorëve amerikanë thonë se fëmijët sot janë më pak të aftë të mbajnë kontakt me sy sesa dhjetë vjet më parë.
Në ndërveprimet ballë për ballë, kontakti i ndërsjellë me sy ndodh në rreth 26% të kohës, ndërsa në komunikimet përmes kompjuterit, si në Zoom apo Google Meet, kjo përqindje bie në 11%.
Kur komunikojmë përmes ekranit, të shohësh dikë drejtpërdrejt nuk do të thotë domosdoshmërisht të krijosh kontakt me sy, për shkak të pozicionit të kamerës. Megjithatë, shpesh e bindim veten se këto ndërveprime janë po aq cilësore sa ato në jetën reale.
Por edhe kur gjendemi ballë për ballë me njerëzit tanë të dashur, nuk arrijmë t'u kushtojmë vëmendjen e duhur.
Rreth 90% e njerëzve deklarojnë se përdorin telefonin ndërsa kalojnë kohë me miqtë ose familjarët. Ky fenomen njihet me termin “phubbing”, që nënkupton shpërfilljen e personit që kemi pranë për t'i kushtuar vëmendje telefonit.
Askujt nuk i pëlqen të trajtohet si një i panjohur. Kjo sjellje pengon zhvillimin e marrëdhënieve dhe shton ndjenjën e përjashtimit.
Por problemi më i madh qëndron në mënyrën se si reagojmë ndaj saj. Në vend që ta kundërshtojmë, marrim edhe ne telefonat tanë.
Pak nga pak, kemi lejuar që muskujt e inteligjencës sonë në marrëdhëniet njerëzore të atrofizohen, deri në pikën sa thjesht heqim dorë nga përpjekjet për të komunikuar.
Një detaj mund të jetë vendimtar për të kuptuar këtë fenomen: gjasat që edhe ne të shpërfillim të tjerët për shkak të telefonit rriten me shtimin e numrit të njerëzve përreth nesh që bëjnë të njëjtën gjë.
Nëse ndodhemi në një grup me katër persona që janë të përqendruar te telefonat e tyre, kemi më shumë gjasa të bëjmë të njëjtën gjë sesa në një grup me tre persona të tillë.
Jo domosdoshmërisht sepse na pëlqen të sillemi kështu, por sepse pikërisht në këtë mënyrë krijohen dhe përhapen normat shoqërore.
Djali im 13-vjeçar nuk ka një telefon “të vërtetë”. Ai ka një telefon me kapak, të stilit të viteve ’90, të cilin refuzon ta përdorë.
Kjo do të thotë se ai nuk mund të më shpërfillë për shkak të telefonit. Por do të thotë gjithashtu se ka pasur mjaftueshëm kohë për të përsosur artin e tërheqjes së vëmendjes sime sa herë që unë e shpërfill atë për shkak të telefonit.
Dhe kjo funksionon. Ai është shumë i aftë të më kujtojë se sa e tmerrshme është të kesh përballë një nënë të shpërqendruar, që të kushton vetëm gjysmën e vëmendjes së saj.
Ai më ka dhënë një mësim të rëndësishëm: në fakt, është e mundur ta përmbysim këtë proces kolektiv të dobësimit të aftësive tona për të ndërtuar marrëdhënie, nëse refuzojmë t'i përgjigjemi shkëputjes së të tjerëve duke u shkëputur edhe vetë.
Duke pasur parasysh natyrën varësuese të shumë prej teknologjive që përdorim sot, nga kufjet që vendosim brenda veshit deri te shfletimi i pafund i përmbajtjeve në ekran, është e tepërt të presim që individët, vetëm me forcat e tyre, të heqin dorë nga këto zakone.
Vullneti individual shpesh nuk mund të konkurrojë me projektuesit dhe inxhinierët e Silicon Valley.
Zgjidhja ka më shumë gjasa të gjendet te sjellja kolektive.
Brenda rrethit tuaj shoqëror, përpiquni të shtoni kontaktin me sy dhe ndërveprimin me njëri-tjetrin. Bëni të njëjtën gjë edhe në vendin e punës.
Jepni shembullin tuaj kudo që mundeni dhe mbështetni ata që përpiqen të rizgjojnë inteligjencën e tyre në marrëdhëniet njerëzore.
Përse të mos konsiderohet përjashtim nga norma personi i shkëputur nga të tjerët, që shfleton vazhdimisht telefonin, në vend të atij që kërkon kontakt me sy dhe përpiqet të zhvillojë një bisedë të vërtetë?
Në fillim, mund të duket sikur po notojmë kundër rrymës. Por, dalëngadalë, disa prej këtyre ndryshimeve mund të fillojnë të përhapen, si valë që përshkojnë shtëpitë dhe rrugët tona.
Ndoshta një ditë do të arrijnë deri te hyrja e ndërtesës ku kam zyrën./Përshtati nga The Guardian Dritare.net
*Tessa West është profesoreshë e psikologjisë në Universitetin e Nju-Jorkut.