Berisha-Ramës: Mund të kundërpërgjigjemi në mënyrë vendimtare. PD është shtëpia e protestuesve
Dritare.net

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas protestës së 28 Nëntorit, duke akuzuar Policinë për dhunë ndaj protestuesve dhe sulm ndaj selisë blu. Berisha i ka drejtuar një paralajmërim kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se selia e PD-së do të jetë strehë për çdo protestues.
Fjala e plotë e Sali Berishës:
“Të rinj, të reja, qytetarë dhe qytetare, të ardhur nga të katër anët, nga diaspora, zhvilluan një betejë heroike në kushtet më të pabarabarta. Narkoregjimi përdori të gjitha mjetet, tokësore, ajrore, snajperë dhe lartësira. Tonelata gaz dhe ujë të helmuar, por protestuesit nuk i mposhtën. Ata e mbajtën dhe vijojnë ta mbajnë për orë të tëra, duke nderuar kështu heroin tonë kombëtar, Skënderbeun.
Nuk është festuar ndonjëherë Dita e Flamurit dhe e Kombit si kësaj here. Në përballjen me regjimin, mbi 21 protestues u detyruan të paraqiten në spital, dhjetëra të tjerë janë mjekuar në kushte jospitalore, por regjimi theu kocka, theu gjymtyrë, çau kafka, përdori breshëri plumbash, përdori mjetet e tjera të dhunshme, përdori topat e ujit, të cilët, siç e patë, u drejtuan edhe kundër gazetarëve dhe operatorëve.
I ftoj, me vendosmëri, të marrin pjesë në çdo protestë kundër Edi Ramës. Pjesëmarrja e tyre ka një rëndësi vendimtare për suksesin e protestave dhe, siç e kam theksuar, protesta dhe vetëm protesta është rruga e vetme për të larguar Ramën nga pushteti.
Së dyti, dua të dënoj dhunën e egër që u ushtrua sot. Garantoj Ramën se do të mbahet drejtpërdrejt përgjegjës për këtë dhunë, ai, Demoni dhe hiena e tij. Do të përgjigjet për të gjitha plagosjet që i ka shkaktuar përfaqësuesve paqësorë.
Së treti, në emër të PD-së, dënoj me forcën më të madhe sulmin stalinist kundër selisë së PD-së. Edvin Kristaq Xhelati, armik i egër i pluralizmit dhe i PD-së, dërgoi narkobanditët e tij me gjithë arsenalin dhe gjuajtën selinë e PD-së, territorin e saj, me topa uji, me bombola gazi, me spray.
Nuk kishte asnjë motiv tjetër, përveç urrejtjes së tij ndaj kundërshtarit politik. Paralajmëroj Ramën: Hiq dorë nga sulmet ndaj PD-së, se në mënyrë absolute mund të të kundërpërgjigjemi në një mënyrë vendimtare me sulmet ndaj selisë, sikundër theksoj se kjo seli ka qenë, është dhe do të mbetet strehë mikpritëse për çdo protestues dhe protestuese të të gjitha bindjeve. Protestat janë një e drejtë kushtetuese, një e drejtë e patjetërsueshme.
Ne do të mbrojmë dhe do t’i japim strehim çdo protestuesi që ka nevojë për strehim nga sulmet e egra të narkoregjimit të Ramës.”/L.F-dritare.net