Begaj reagon për protestën e 28 Nëntorit: Dhuna nuk është zgjidhje, dialogu është rruga
Dritare.net

“Protesta është një e drejtë kushtetuese, por dhuna, shkatërrimi dhe imponimi nuk janë zgjidhja”. Kështu u shpreh Presidenti Bajram Begaj gjatë ceremonisë së organizuar në Presidencë me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë, ku foli edhe për protestën e zhvilluar gjatë ditës në Tiranë.
Kreu i shtetit bëri thirrje për dialog dhe bashkim, duke theksuar se demokracia nuk kërkon që të gjithë të mendojnë njësoj, por që të respektohen mendimet e ndryshme.
Begaj kujtoi sakrificat historike të shqiptarëve për liri dhe pavarësi, ndërsa u ndal edhe te brezi i ri, që sipas tij kërkon më shumë mundësi dhe përfshirje.
“Sot po rritet një brez që kërkon më shumë mundësi dhe përfshirje. Kemi parë të rinj dhe qytetarë që protestojnë, edhe sot, në ditën e shenjtë të flamurit dhe të bashkimit. Protesta është e drejtë kushtetuese, por dhuna, shkatërrimi dhe imponimi nuk janë zgjidhja, as alternativa.
Dialogu është zgjidhja. Demokracia nuk kërkon të mendojmë të gjithë njësoj. Ajo kërkon që, edhe kur mendojmë ndryshe, të ndihemi nën të njëjtën çati. Ajo që na bashkon është shumë më e madhe se ajo që na ndan”, deklaroi Presidenti.
Në përfundim, Begaj theksoi rëndësinë e bashkimit rreth vlerave të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe orientimit euroatlantik të Shqipërisë./L.F-dritare.net