Na ndiqni edhe në

Bota

Stuhi të fuqishme godasin SHBA-në në Ditën e Falënderimeve

Stuhi të fuqishme godasin SHBA-në në Ditën e

Qindra mijëra banorë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbetur pa energji elektrike, pasi stuhi të fuqishme goditën të dyja brigjet e vendit gjatë festës së Ditës së Falënderimeve. Bregu lindor i SHBA-së u përfshi të enjten nga reshje të dendura shiu, erëra të forta dhe përmbytje në zonat bregdetare. Pensilvania mbetet shteti më i prekur nga ndërprerjet e energjisë elektrike, ndërsa probleme të konsiderueshme janë regjistruar edhe në Virxhinia, Maryland dhe Nju-Xhersi.

Numri i banesave të mbetura pa energji elektrike arriti në afro një milion mbrëmjen e së enjtes. Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se do të shqyrtojë mundësinë e akordimit të fondeve të emergjencës.

Moti i keq ka shkaktuar gjithashtu probleme të mëdha në transportin ajror. Mbi 2500 fluturime u vonuan dhe më shumë se 450 u anuluan të enjten, ndërsa ndërprerjet kanë vijuar edhe gjatë së premtes.

Një pasagjer i tha BBC-së se kishte mbetur për 13 orë në aeroportin LaGuardia të Nju-Jorkut, teksa përpiqej të udhëtonte drejt Çikagos për të festuar me miqtë.

Në Uashington dhe Nju-Jork u regjistrua Dita e Falënderimeve me reshjet më të dendura të shiut që nga fillimi i matjeve për këtë festë. Për shkak të kushteve atmosferike, parada tradicionale e Macy’s në Nju-Jork është shtyrë për të shtunën, për herë të parë në historinë e saj 100-vjeçare.

Situata mbetet problematike edhe në bregun perëndimor, veçanërisht në Kaliforni dhe Oregon, ku baticat jashtëzakonisht të larta kanë shkaktuar përmbytje dhe dëmtime të infrastrukturës bregdetare. Në qytetin Pacifica të Kalifornisë, një pjesë e molit është shembur si pasojë e dallgëve të fuqishme.

Meteorologët parashikojnë përmirësim të kushteve atmosferike gjatë fundjavës në verilindje të SHBA-së. Megjithatë, një tjetër sistem me presion të ulët atmosferik pritet të mbërrijë të hënën, duke sjellë reshje të dendura shiu, erëra të forta dhe probleme të tjera në transport./dritare.net