Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Reforma Zgjedhore/ PD depoziton propozimet në Kuvend

Reforma Zgjedhore/ PD depoziton propozimet në Kuvend

Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend 39 amendamente në Kodin Zgjedhor dhe 20 në Kodin Penal, ndërsa ka kërkuar zgjatjen me dy deri në tre muaj të mandatit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, i cili përfundon më 30 nëntor.

Ndër propozimet kryesore të demokratëve është ndryshimi i sistemit zgjedhor në proporcional kombëtar, me lista 100% të hapura dhe mundësinë që qytetarët të votojnë deri në pesë kandidatë të së njëjtës parti politike.

PD propozon gjithashtu vendosjen e një pragu elektoral kombëtar prej 3% për partitë dhe koalicionet, përqindje që mbetet objekt negociatash mes palëve.

Demokratët kërkojnë rikthimin e koalicioneve me lista të veçanta, si dhe hapjen e listave për zgjedhjen e anëtarëve të këshillave bashkiakë.

Një pjesë e rëndësishme e propozimeve lidhet me ndarjen e shtetit nga partia në pushtet, përmes krijimit të një periudhe të mbrojtur zgjedhore, gjatë së cilës kufizohet vendimmarrja e institucioneve publike që mund të krijojë avantazhe elektorale.

“Gjatë periudhës së mbrojtur zgjedhore ndalohet propozimi, miratimi, nxjerrja, shpallja si angazhim shtetëror, zbatimi ose ekzekutimi i masave që krijojnë, zgjerojnë, rrisin, përshpejtojnë ose materializojnë përfitime publike për qëllime përfitimi zgjedhor”, thuhet në propozimin e PD-së.

Sa u përket ndryshimeve në Kodin Penal, opozita propozon dënime deri në shtatë vjet burg për organizimin e paligjshëm të patronazhimit politik-administrativ, falsifikimin e rezultateve zgjedhore në rrethana të rënduara dhe organizimin e skemave të blerjes së votave.

Në shkresën drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Oerd Bylykbashi, argumenton se zgjatja e mandatit është e nevojshme për adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, finalizimin e projektligjeve dhe arritjen e dakordësisë politike mes palëve./dritare.net