Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Balla i përgjigjet Shehajt në Kuvend për apartamentin 500 metra katrorë: Nëse provohet, jap dorëheqjen

Balla i përgjigjet Shehajt në Kuvend për apartamentin 500 metra
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i është përgjigjur në Kuvend akuzave të deputetit Agron Shehaj lidhur me pasurinë e tij dhe pretendimin se zotëron një apartament prej 500 metrash katrorë.

Gjatë replikës, Balla e sfidoi Shehajn që të provojë deklaratën, duke u shprehur se, nëse ajo rezulton e vërtetë, do të dorëzojë mandatin e deputetit dhe nuk do të kthehet më në Kuvend.

Balla deklaroi se është subjekt i deklarimit të pasurisë që prej vitit 2003. Ai tha se apartamenti ku jeton me familjen është blerë me kredi dhe se shlyerja e saj do të zgjasë deri në vitin 2044.

Gjatë fjalës së tij, kreu i grupit parlamentar të PS-së ngriti akuza ndaj Shehajt për pastrim parash dhe pretendoi se ai kishte paguar 500 mijë euro për të siguruar vendin në listën e kandidatëve për deputetë, duke përmendur edhe ish-kryetarin e PD-së, Lulzim Basha.

Balla iu referua gjithashtu një vendimi të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ndaj Shehajt, lidhur me përdorimin e të dhënave të anëtarëve të PD-së gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2025./L.F-dritare.net