Fortlumturi, po flamurit shqiptar në katedralen e Korçës!
Dritare.net

Nga Vasil Merko
Çdo debat, çdo kundërshtim dhe çdo mendim ndryshe është i mirëpritur në një shoqëri demokratike. Reagimi i Mitropolitit të Korçës, Imzot Anastasit, ndaj Taulant Ballës, lidhur me publikimin e një fragmenti nga filmi "Kush vdes në këmbë", meriton të trajtohet me seriozitet.
Nuk kemi asnjë arsye të marrim në mbrojtje z. Balla, as ndonjë përfaqësues tjetër të politikës shqiptare. Gjithashtu, e kuptojmë plotësisht ndjeshmërinë e klerit ortodoks ndaj filmave të realizmit socialist, të cilët, në funksion të ideologjisë së kohës, shpesh denigronin figurën e klerikut dhe përçmonin besimin fetar.
Por në gjithë këtë debat ka diçka që çalon. Madje, çalon shumë.
Në Greqi, në Maqedoninë e Veriut dhe në shumë vende me traditë ortodokse, flamuri kombëtar bashkëjeton natyrshëm me flamurin bizantin në mjediset kishtare. Askush nuk e konsideron këtë një cenim të besimit apo të karakterit universal të krishterimit.
Përse, atëherë, flamuri kombëtar shqiptar nuk gjen të njëjtin vend në katedralen "Ringjallja e Krishtit", në zemër të Korçës?
Përse prej vitesh besimtarët ortodoksë shqiptarë duhet të ngrenë pikëpyetje për praninë e simbolit të tyre kombëtar në një prej institucioneve më përfaqësuese të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë?
Për ne, kjo mungesë nuk është thjesht një hollësi estetike. Ajo përjetohet si një shpërfillje e ndjenjës kombëtare dhe e identitetit të ortodoksëve shqiptarë.
Fortlumturi, si duhet të ndihemi ne kur ju shohim duke bekuar fillimin e vitit shkollor në institucionet private arsimore greke të qytetit të Korçës?
Nuk vihet në diskutim e drejta e askujt për të mësuar gjuhën greke, për të ruajtur kulturën e vet apo për të marrë bekimin e një përfaqësuesi fetar. Por a nuk kërkon pozicioni juaj institucional një ekuilibër dhe një ndjeshmëri të barabartë ndaj të gjithë qytetarëve?
Si do të perceptohej ndërhyrja sistematike e përfaqësuesve të komuniteteve të tjera fetare në ceremonitë e hapjes së viteve shkollore në institucionet laike të Republikës së Shqipërisë?
Gjithashtu, në tetor të këtij viti, gjatë vizitës së zëvendësministrit grek Konstandinos Gkioulekas në Korçë, ky i fundit deklaroi se çdo grek duhet të vizitojë qytetin për të parë rrënjët e njerëzve të tij që kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë atje.
Ju e pritët atë në Mitropoli. Por a pati ndonjë reagim publik nga ana juaj për të sqaruar kontekstin e kësaj deklarate dhe për të afirmuar karakterin shqiptar të institucionit që përfaqësoni?
Respektimi i pakicës kombëtare greke dhe i të drejtave të saj është detyrim i një shoqërie demokratike. Por po aq i rëndësishëm është respektimi i identitetit kombëtar të shumicës së besimtarëve ortodoksë shqiptarë.
Çfarë duhet të mendojmë ne, ortodoksët shqiptarë, përballë këtyre qëndrimeve?
A nuk do të ishte e udhës që, me rastin e Ditës së Alfabetit dhe të festave të Nëntorit, Mitropolia e Korçës të nderonte në mënyrë të veçantë ata ortodoksë shqiptarë që sakrifikuan për gjuhën shqipe, për arsimin kombëtar dhe për autoqefalinë e Kishës sonë?
Realizmi socialist, përndjekja e klerit dhe makthet e diktaturës i përkasin një të shkuare tragjike të Shqipërisë. Ato nuk duhen harruar dhe as relativizuar. Por padrejtësitë e diktaturës nuk mund të shërbejnë si argument për të shmangur diskutimin mbi përgjegjësitë e institucioneve fetare në Shqipërinë e sotme.
Ne nuk kemi nevojë të zgjedhim ndërmjet kryqit dhe flamurit, ndërmjet besimit dhe kombit, ndërmjet ortodoksisë dhe shqiptarësisë.
Përkundrazi, një flamur shqiptar që valëvitet në katedralen e Korçës, veçanërisht në këto ditë festash kombëtare, do të ishte një gjest dinjiteti, respekti dhe afirmimi i përkatësisë sonë.
Prania e tij nuk do të fyente asnjë besimtar grek, nuk do të cenonte marrëdhëniet me kishat simotra dhe nuk do të ndryshonte asnjë parim teologjik.
Nëse ekzistojnë arsye institucionale, financiare apo marrëveshje të tjera që ndikojnë në politikën e simboleve të Mitropolisë, besimtarët meritojnë transparencë. Kush vendos për këto çështje dhe mbi çfarë kriteresh? A kanë ndonjë ndikim financuesit e jashtëm në këto vendimmarrje?
Këto janë pyetje legjitime, jo akuza. Ato burojnë nga shqetësimi i besimtarëve për institucionin e tyre.
Ne e duam Kishën tonë. E respektojmë hierarkinë e saj dhe nuk harrojmë sakrificat e klerikëve ortodoksë. Por pikërisht dashuria për Kishën na jep të drejtën edhe ta kritikojmë atë.
Fortlumturi, shqiptarësia jonë nuk është në kundërshtim me ortodoksinë tonë. Mos na vendosni përballë një dileme që nuk duhet të ekzistojë.
Flamuri kuqezi e ka vendin e tij edhe në katedralen e Korçës. Jo si shprehje nacionalizmi, por si simbol i dinjitetit, i përkatësisë dhe i respektit ndaj atdheut.
Dhe për ta kërkuar këtë, nuk kemi nevojë as për Taulant Ballën, as për filmat e realizmit socialist.
Na mjafton ndërgjegjja jonë si ortodoksë shqiptarë./dritare.net