Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Alarm për motin e keq, 7 qarqe në rrezik për përmbytje, ndalohet lundrimi në Vlorë

Alarm për motin e keq, 7 qarqe në rrezik për përmbytje,

Moti pritet të përkeqësohet ndjeshëm këtë të enjte, më 26 nëntor, me reshje intensive shiu, shtrëngata dhe erë të fortë, duke rritur rrezikun për përmbytje dhe rrëshqitje dherash në disa zona të vendit.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO), shtatë qarqe, Shkodra, Kukësi, Dibra, Lezha, Durrësi, Vlora dhe Gjirokastra, paraqesin rrezik për përmbytje të lokalizuara në zonat urbane, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.

Rreziku është më i lartë në Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër, ku krahas reshjeve intensive mund të ketë edhe vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje dherash.

Shkodra pritet të jetë qarku më i prekur nga reshjet, ndërsa në Kukës, Dibër dhe Lezhë parashikohen reshje intensive deri lokalisht shumë intensive. Reshje intensive priten edhe në Durrës, Tiranë, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa në Elbasan dhe Fier do të jenë mesatare deri lokalisht intensive.

Reshjet pritet të shoqërohen me shtrëngata dhe të sjellin rritje të prurjeve në lumenjtë Drin-Bunë, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë.

Ndalohen lundrimet e mjeteve të vogla në Vlorë

Për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike, në Vlorë është ndaluar pajisja me leje nisjeje e mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit që synojnë të dalin në det të hapur, jashtë Gjirit të Vlorës.

Masa ka hyrë në fuqi në orën 15:00 të së mërkurës, 25 nëntor, dhe do të jetë në fuqi deri në orën 20:00 të së enjtes, 26 nëntor.

Sipas njoftimit të autoriteteve, era nga drejtimi jug-juglindje pritet të arrijë forcën 6-7 ballë, me shpejtësi 15-20 metra në sekondë, ndërsa dallgët parashikohet të arrijnë deri në 2.5 metra.

Autoritetet u kanë kërkuar subjekteve që operojnë në sektorin detar të marrin masa për sigurimin e mjeteve në port dhe të rrisin gatishmërinë e ekuipazheve.

Ndërkohë, sipas njoftimit, anijet e mallrave dhe hidrokarbureve do të vijojnë operimin normalisht, ndërsa tragetet e transportit ndërkombëtar të pasagjerëve dhe automjeteve në linjën Vlorë-Brindisi-Vlorë kanë anuluar lundrimin për shkak të kushteve të këqija të detit.

Përmirësimi i kushteve hidrometeorologjike për mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit pritet pas orës 22:00 të datës 26 nëntor.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes, veçanërisht në zonat pranë lumenjve, përrenjve dhe përgjatë vijës bregdetare, si dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në kushtet e motit të përkeqësuar./L.F-dritare.net