Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Shkoi për turizëm në Itali, shqiptari përfundoi në burg për shkak të një gabimi!

Shkoi për turizëm në Itali, shqiptari përfundoi në burg

Një shtetas shqiptar, i cili kishte udhëtuar drejt Italisë për qëllime turistike, është mbajtur për rreth 20 ditë në Qendrën e Mbajtjes për Riatdhesim (CPR) në Bari-Palese, pasi autoritetet italiane e konsideruan emigrant të parregullt, pavarësisht se kishte dokumentacion të vlefshëm.

Ngjarja është bërë publike nga gazeta italiane “La Repubblica”, e cila raporton se gjithçka dyshohet të ketë ardhur si pasojë e një ngatërrimi të identitetit.

Shqiptari kishte hyrë ligjërisht në Itali më 16 shkurt 2026, siç dëshmohej nga vula në pasaportën e tij biometrike. Dhjetë ditë më vonë, më 26 shkurt, ai u ndalua për verifikim nga policia në Modena.

Pavarësisht se efektivët kishin kontrolluar pasaportën origjinale, autoritetet i komunikuan një urdhër dëbimi, duke pretenduar se ai kishte hyrë në Itali më 18 qershor 2014 dhe se prej 12 vitesh qëndronte në mënyrë të paligjshme në vend.

Shqiptari u transferua në qendrën e riatdhesimit në Bari, ku më 27 shkurt gjykata miratoi masën e ndalimit. Gjatë shqyrtimit të çështjes, vula e hyrjes në pasaportë nuk u mor në konsideratë, megjithëse dokumenti ndodhej në dosje.

Avokatja Uljana Gazidede kërkoi rishqyrtimin e çështjes, duke paraqitur dokumentacionin që vërtetonte qëndrimin e ligjshëm të klientit të saj. Më 18 mars, gjykata urdhëroi lirimin e shqiptarit.

Megjithatë, beteja ligjore për anulimin e urdhrit të dëbimit vazhdoi edhe për disa muaj.

Më 23 tetor, Gjykata e Paqes në Modena pranoi kërkesën e shqiptarit dhe anuloi urdhrin e dëbimit, duke konstatuar se autoritetet nuk kishin paraqitur prova që vërtetonin se ai ishte personi që kishte hyrë në Itali në vitin 2014.

Sipas legjislacionit europian, shtetasit shqiptarë që disponojnë pasaportë biometrike kanë të drejtë të qëndrojnë në hapësirën Schengen pa vizë deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore.

Për shkak të një ngatërrimi të dyshuar të identitetit, turisti shqiptar humbi lirinë për rreth 20 ditë dhe iu desh të priste tetë muaj që drejtësia italiane të anulonte urdhrin e dëbimit./dritare.net