Dosja “Veliaj”/ GJKKO dënon me 4 vite e 8 muaj burg Elman Abulen, shpallen të pafajshëm Bektashi dhe Xhani!
Dritare.net

Gjykata e Posaçme ka shpallur vendimin për një nga fraksionet e dosjes “Veliaj”, ku ishin marrë të pandehur tetë persona dhe tri subjekte juridike.
Biznesmeni Elman Abule është dënuar me 7 vite burg, dënim që, për shkak të gjykimit të shkurtuar, reduktohet në 4 vite e 8 muaj.
Me të njëjtën masë dënimi janë dënuar edhe Ina Goxhaj dhe Adela Kondakçiu. Megjithatë, për Goxhajn, gjykata ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg, duke e kaluar në shërbim prove për 5 vite, ndërsa Kondakçiu është përjashtuar nga vuajtja e dënimit për shkak të statusit të bashkëpunëtores së drejtësisë.
Fatjon Baçi është dënuar me 5 vite burg, që pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar reduktohen në 3 vite e 4 muaj. Ndërsa Frosina Bollo është dënuar përfundimisht me 8 muaj burg, dënim që është konvertuar në 16 muaj shërbim prove.
GJKKO ka dënuar gjithashtu Klotilda Bushkën me 300 mijë lekë gjobë, e cila pas gjykimit të shkurtuar reduktohet në 200 mijë lekë.
Sa u përket subjekteve juridike, shoqëria “Rametal” është dënuar përfundimisht me 12 milionë lekë gjobë, që duhet të paguhet brenda gjashtë muajve, ndërsa organizata jofitimprurëse “Frobulos” është dënuar me 333 mijë lekë gjobë.
Ndërkohë, Gjykata e Posaçme ka shpallur të pafajshëm biznesmenin Fatmir Bektashi, shoqërinë “Kontakt” dhe Flutur Xhanin./dritare.net