Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ligji për tubimet, Kushtetuesja pranon pjesërisht kërkesën e studentëve dhe shoqërisë civile!

Ligji për tubimet, Kushtetuesja pranon pjesërisht kërkesën e

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar dispozitën që parashikon gjoba për bllokimin e rrugëve gjatë protestave, duke pranuar pjesërisht kërkesën e organizatave të shoqërisë civile dhe grupimeve studentore, të cilat kundërshtojnë ndryshimet në ligjin “Për tubimet”.

Gjykata ka vlerësuar se paqartësitë në formulimin e kësaj dispozite mund të sjellin pasoja të rënda për ushtrimin e të drejtave dhe lirive kushtetuese.

Ndërkohë, dy gjyqtaret Marsida Xhaferllari dhe Sonila Bejtja kanë dalë kundër vendimit të shumicës, duke kërkuar pezullimin e të gjitha dispozitave të kundërshtuara, deri në marrjen e vendimit përfundimtar.

Çfarë vendosi Gjykata?


Mbledhja e Gjyqtarëve, me shumicë votash, vendosi pezullimin e nenit 5 të aktit normativ, në pjesën që shton nenin 24/1, pika 2, të ligjit “Për tubimet”. Kjo dispozitë parashikon sanksione administrative për bllokimin e rrugëve automobilistike ose të akseve rrugore gjatë zhvillimit të një tubimi, kur pengohet qarkullimi i mjeteve të transportit.

Në arsyetimin e saj, shumica vlerësoi se dispozita është formuluar në terma të përgjithshëm dhe nuk bën dallim nëse sanksioni zbatohet edhe ndaj pjesëmarrësve në tubime për të cilat është dhënë autorizimi përkatës. Sipas Gjykatës, kjo paqartësi mund të sjellë pasoja të drejtpërdrejta dhe të rënda për ushtrimin e lirive dhe të drejtave kushtetuese, duke justifikuar pezullimin e saj deri në vendimin përfundimtar.

Nga ana tjetër, Gjykata nuk pranoi pezullimin e dispozitave të tjera të kundërshtuara, që lidhen me përcaktimin e zonave ku mund të kufizohen tubimet, kompetencat për ndërhyrjen ndaj tyre dhe sanksionet administrative. Sipas shumicës, kërkuesit nuk arritën të provojnë në këtë fazë ekzistencën e pasojave të rënda dhe të pariparueshme që do të justifikonin pezullimin e këtyre dispozitave.

Gjithashtu, për shkak të natyrës së çështjes dhe rëndësisë së pretendimeve kushtetuese, Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi që shqyrtimi i çështjes në themel të bëhet me përparësi.

Dy gjyqtare kërkuan pezullimin e plotë të aktit normativ

Një qëndrim të ndryshëm nga shumica mbajtën gjyqtaret Marsida Xhaferllari dhe Sonila Bejtja, të cilat paraqitën mendim pjesërisht kundër, duke vlerësuar se kërkesa duhej të pranohej në tërësi dhe të pezulloheshin të gjitha dispozitat e kundërshtuara.

Në mendimin e tyre, dy gjyqtaret theksojnë se liria e tubimit paqësor, e garantuar nga Kushtetuta dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është një nga themelet e shoqërisë demokratike dhe duhet të mbrohet në mënyrë efektive.

Sipas tyre, zbatimi i menjëhershëm i ndryshimeve ligjore rrezikon të sjellë pasoja serioze dhe të pariparueshme për ushtrimin e kësaj lirie. Ato ngrenë shqetësime veçanërisht për listën e gjerë të zonave ku ndalohen tubimet, kompetencat diskrecionare të Policisë së Shtetit për ndërprerjen e tyre, ndërhyrjen në të dhënat personale dhe gjobat e larta të parashikuara për protestuesit.

Gjyqtaret vënë në dukje gjithashtu se këto masa mund të krijojnë efekt frenues ndaj qytetarëve që dëshirojnë të marrin pjesë në protesta, veçanërisht studentëve dhe të rinjve, për shkak të barrës financiare që mund të sjellin gjobat.

Në përfundim, dy gjyqtaret vlerësojnë se pezullimi i të gjitha dispozitave të kundërshtuara ishte i nevojshëm për të shmangur cenimin e mundshëm të lirive kushtetuese deri në përfundimin e gjykimit.

Çështja mbetet e hapur për shqyrtim në themel. Vendimi për pezullimin e pjesshëm nuk përbën një vendimmarrje përfundimtare mbi kushtetutshmërinë e aktit normativ. Gjykata pritet të shqyrtojë në seancë plenare publike kërkesën për shfuqizimin e tij në tërësi./dritare.net