Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Studentët njoftojnë krijimin e një partie të re politike: Ja çfarë synojmë!

Studentët njoftojnë krijimin e një partie të re politike: Ja

Pas 180 ditësh protestash, një grup studentësh ka njoftuar krijimin e një force të re politike, të quajtur “Të Bashkuar për Shqipërinë”. Nismës i janë bashkuar pedagogë, profesionistë të fushave të ndryshme, të rinj dhe përfaqësues të diasporës. Në prezantimin e nismës, themeluesit deklaruan se synojnë të ndërtojnë një alternativë politike të mbështetur në meritokraci, drejtësi, transparencë dhe llogaridhënie, me drejtues të zgjedhur dhe mandate të kufizuara. Grupi nismëtar ka nisur mbledhjen e firmave, ndërsa në javët në vijim pritet të zhvillojë takime me qytetarët brenda dhe jashtë vendit, për hartimin e programit politik.

Ja deklarata e studentëve!

“Ne, një grup studentësh së bashku me të rinj, atdhetarë dhe profesionistë të fushave të ndryshme nga qytete të ndryshme të Shqipërisë si dhe nga diaspora, deklarojmë sot me zë dhe me figurë themelimin e Partisë së Bashkuar për Shqipërinë. Një parti e hapur për këdo që beson se Shqipëria mund të qeveriset me drejtësi, meritokraci, përgjegjësi, transparencë në shërbim të popullit. Për 180 ditë mijëra të rinj, prindër, mësues dhe qytetarë kanë treguar se Shqipëria nuk është lodhur. Ajo është zgjuar dhe është e bashkuar. Ky zë u përket të gjithë atyreve që u bashkuan kërkesave të protestuesve. Partia të Bashkuar për Shqipërinë do t’ju afrojë atyre një rrugë kushtetuese drejt vendosjes së shtetit të së drejtës.

Prandaj ne nuk vijmë me një program të shkruar pas dyerve të mbyllura. Në javët në vijim do të jemi pranë jush me qytete dhe në fshatra si dhe kudo ku jetojnë bashkatdhetarët tanë. duam të bashkojmë zërat, përvojat dhe vullnetin e shqiptarëve për të ndërtuar së bashku një alternativë të re, për të bashkuar Shqipërinë, për t’i dhënë vendit drejtimin që meriton. Ne nuk bëjmë premtime. Ne vendosim standarte. Çdo angazhimi i yni do të ketë një objektiv të matshëm, një përgjegjës me emër, një kosto të llogaritur dhe një afat.

Do ta masim rregullisht, do ta publikojmë dhe do ta verifikojmë me ekspertë të pavarur. Kur nuk e arrijmë do ta themi i hapur, do ta shpjegojmë dhe pse do ta tregojmë dhe si do e korrigjojmë. Sepse besimi nuk kërkohet. Ai fitohet premtim pas premtimi, rezultat pas rezultati. Shqiptarët meritojnë një politikë që u nënshtrohet të njëjtave standarte që u kërkohet çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë. Përpara se të kërkojmë popullit tonë besimin, i vendosim vetes disa rregulla. Drejtues të zgjedhur me mandate të kufizuara, llogaridhënie

publike, asnjë privilegj për themeluesit dhe asnjë ndikim për donatorët. Kjo parti nuk do të bjerë prej e kultit të individit. Ju ftojmë të ndërtojmë një institucion ku asnjë udhëheqës të mos mund ta zaptojë apo ta përdorë për institucione vetiake. Ftojmë çdo shqiptar brenda dhe jashtë vendit të bashkohet. E ardhmja e Shqipërisë nuk do të ndërtohet nga një rreth i mbyllur. Do ta ndërtojmë së bashku të gjithë të bashkuar për Shqipërinë”, tha përfaqësuesja.