Reshje shiu, dëborë dhe ulje temperaturash, ARRSH apel drejtuesve të mjeteve!
Dritare.net

Reshjet e shiut me intensitet mesatar deri të lartë, shtrëngatat dhe reshjet e dëborës në zonat malore pritet të përfshijnë vendin gjatë ditëve në vijim, të shoqëruara edhe me një rënie të ndjeshme të temperaturave.
Përkeqësimi i kushteve atmosferike gjatë ditëve në vijim ka vënë në gatishmëri Autoritetin Rrugor Shqiptar. Sipas parashikimeve meteorologjike, vendi pritet të përfshihet nga reshje intensive shiu, shtrëngata dhe një ulje e ndjeshme e temperaturave, ndërsa në lartësitë mbi 1100 metra parashikohen reshje dëbore.
ARRSH bën me dije se kontraktorët e mirëmbajtjes janë në gatishmëri për të garantuar qarkullimin në akset kombëtare, ndërsa u kërkon drejtuesve të automjeteve të respektojnë sinjalistikën rrugore, të reduktojnë shpejtësinë dhe të pajisen me goma dimërore e zinxhirë gjatë udhëtimeve drejt zonave malore.
Njoftimi i plotë:
"Sipas parashikimeve të MeteoAlb, në ditët në vijim priten reshje shiu me intensitet mesatar deri të lartë, shtrëngata afatshkurtra, reshje bore në lartësitë mbi 1100 metra, si dhe ulje e ndjeshme e temperaturave.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka marrë të gjitha masat për përballimin e situatës.
Kontraktorët e mirëmbajtjes janë në gatishmëri për të garantuar qarkullimin në akset rrugore kombëtare.
Apel për drejtuesit e mjeteve:
* Tregoni kujdes të shtuar gjatë udhëtimit.
* Reduktoni shpejtësinë.
* Respektoni sinjalistikën rrugore.
* Kontrolloni gjendjen teknike të automjetit përpara nisjes, si dhe pajisuni me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtoni për në akset malore.
Siguria në rrugë është përgjegjësi e të gjithëve!", thuhet në njoftim./K.C/dritare.net