Evropa në mëshirë të ngjarjeve! Historiani italian: Mos e merrni lirinë si të mirëqenë!
Dritare.net

Evropa ka humbur siguritë e dikurshme dhe sot gjendet përballë një situate të paqartë ndërkombëtare, me një ndikim gjithnjë e më të kufizuar në vendimmarrjen politike dhe ushtarake. Kështu shprehet historiani ushtarak italian Giovanni Cecini, në një intervistë me gazetaren Rudina Xhunga në DritareTV.
Historiani ndalet te marrëdhëniet mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, lufta në Ukrainë dhe ndryshimet që ka sjellë administrata e Donald Trump në politikën ndërkombëtare.
Në intervistën e realizuar për dokumentarin dhe librin “Në besë të shqiptarëve”, me autore gazetaren Rudina Xhunga, Cecini lidh pasigurinë e botës së sotme me mësimet e Luftës së Dytë Botërore dhe sakrificën e njerëzve si Goffredo Zignani. Historiani thekson se liria dhe demokracia nuk janë të garantuara, ndaj mbrojtja e tyre është një përgjegjësi që çdo brez ka ndaj atyre që u sakrifikuan në të kaluarën dhe brezave që do të vijnë.
Pjesë nga intervista
Rudina Xhunga: Mesa duket kohët po kthehen. Duket se bota është në të njëjtin kaos.
Giovanni Cecini: Fatkeqësisht, situata aktuale nuk është e qetë. Deri në rënien e Murit të Berlinit, Evropa Perëndimore kishte si pikë të qëndrueshme NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara, si një aleate të sigurt që garantonte mbrojtje. Sot, pas rreth 35 vitesh, këto siguri nuk ekzistojnë më dhe gjendemi përballë një pasigurie të madhe, pothuajse në mëshirë të ngjarjeve.
Evropa, për fat të keq, nuk ka një peshë të mjaftueshme as në aspektin politiko-diplomatik dhe as në atë ushtarak. Si rrjedhojë, shpesh e pëson nga vendimet ndërkombëtare, më shumë sesa ndikon tek ato. Prej katër vitesh shohim luftën midis Rusisë dhe Ukrainës, e cila vazhdon me vështirësi të mëdha. Pavarësisht këndvështrimeve të ndryshme, mbetet fakti se kemi një palë që ka sulmuar dhe një palë që po mbrohet. Deri para pak kohe ekzistonte një vullnet i fortë për të ndihmuar palën që mbrohej, por me administratën Trump shumë gjëra kanë ndryshuar.
Rudina Xhunga: Çfarë mund të mësojmë nga heronjtë tanë? Sepse Zignani është heroi ynë, i shqiptarëve dhe italianëve.
Giovanni Cecini: Zignani na mëson, mbi të gjitha, aftësinë për të qenë koherent me parimet e veta. Zignani, si oficer i Ushtrisë Mbretërore, mbante yjet në jakë, që simbolizonin besnikërinë ndaj mbretit. Besnikëria ndaj mbretit nënkuptonte edhe të pasurit të një morali të caktuar. Në atë rast, ai e kuptoi se e mira e shtetit dhe e atdheut të tij ishte që të shkëputej edhe nga urdhrat lokalë të Komandës së Armatës së 9-të, të Dalmazzo-s, në një situatë me dinamika jashtëzakonisht të ndërlikuara.
Ai rrezikoi jetën dhe kuptoi se mënyra më e mirë për t'i shërbyer atdheut dhe për të mbrojtur betimin që kishte bërë ishte të dilte në ilegalitet, të afrohej me rezistencën shqiptare dhe të kishte si objektiv kundërshtimin e pushtetit dhe të pushtimit nazist gjerman. Sipas meje, ky është mësimi i madh që Zignani mund të na japë edhe sot. Sakrifica e tij, ashtu si edhe ajo e të gjithë njerëzve që bënë të njëjtën zgjedhje, duhet të jetë një arsye për t'i kujtuar dhe për t'u thënë faleminderit këtyre njerëzve, falë të cilëve sot ne mund të gëzojmë njëfarë lirie. Fatkeqësisht, kjo shpesh harrohet. Nëse sot, më shumë se 80 vjet më vonë, jetojmë në një vend të lirë dhe demokratik, këtë ua detyrojmë edhe burrave dhe grave si Zignani, të cilët pas 8 shtatorit bënë një zgjedhje koherence dhe sakrifice, sepse ishte jashtëzakonisht e vështirë të zgjidhje në një kontekst kaq të ndërlikuar. Zgjedhjet tona shpesh kushtëzohen nga përvoja e mëparshme, nga ndjenjat, nga miqësitë apo nga bindjet ideologjike. Ka shumë faktorë që ndikojnë. Zignani vinte nga një familje me ndjenja liberale, madje edhe me ndjenja republikane. Familja e tij kishte pësuar padrejtësi gjatë fashizmit. Megjithatë, ai vazhdoi angazhimin e tij në karrierën ushtarake si oficer i Ushtrisë së Mbretërisë së Italisë, por me kalimin e kohës arriti të dëshmojë edhe një herë integritetin e tij moral dhe ndershmërinë intelektuale.
Për më tepër, ai ishte një njeri i kulturuar dhe kishte shkruar disa libra, madje edhe manuale profesionale për ushtarët. Pra, ishte një njeri me aftësi të mëdha intelektuale, por edhe një njeri i veprimit. Duke qenë oficer i Shtabit të Përgjithshëm, ai kishte një rol të rëndësishëm. Në detyrën e fundit që mbajti, si drejtues i Zyrës së Operacioneve pati vështirësi në komunikimin me komandën dhe me eprorët e tij. Por pikërisht kjo, së bashku me studimet dhe përvojën e tij, e ndihmoi të krijonte një ide të qartë se si duhej të reagonte dhe të kuptonte situatën në të cilën ndodhej. Kjo ishte një meritë që e dallonte nga shumë kolegë apo eprorë të tjerë, të cilët ndoshta i pranonin në mënyrë jokritike urdhrat e eprorëve, pa i kuptuar plotësisht, ose mendonin se gjermanët do ta zgjidhnin situatën me mirëkuptim. Ndërsa ai e kishte kuptuar shumë mirë se objektivi kryesor i gjermanëve ishte çarmatimi i italianëve dhe marrja e pozicioneve më të favorshme përgjatë bregdetit, në mënyrë që të kishin një pozicion strategjik sa më të përshtatshëm edhe në rast të një zbarkimi të mundshëm të forcave anglo-amerikane, i cili nuk mund të përjashtohej.
Prandaj, Zignani duhet vlerësuar jo vetëm për integritetin e tij të madh moral, por edhe për aftësinë e tij si njeri për të zgjidhur problemet, për të kuptuar situatën dhe për të vepruar në përputhje me të. Kjo ishte një cilësi që, për fat të keq, nuk e kishin të gjithë, por që karakterizonte më të mirët. Dhe Zignani ishte padyshim një prej tyre. Jo vetëm për aftësinë e tij analitike dhe zgjuarsinë, por edhe për gatishmërinë për të vënë jetën e tij në rrezik. Ai u kap rob edhe sepse u përpoq të shpëtonte njerëzit e tij. Nuk u fsheh, por kërkoi të qëndronte pranë ushtarëve të tij, të ndante me ta rreziqet dhe të bënte gjithçka që mundej për t'i mbrojtur. Kjo na jep një tjetër arsye për ta vlerësuar dhe për t'i dhënë meritat që i takojnë. Përndryshe, një medalje jepet në atë kohë dhe historia përfundon aty. Por nuk duhet të jetë kështu.
Ekziston një shprehje shumë e bukur për 25 prillin, Festën e Çlirimit: "25 prilli 1945 nuk është vetëm një datë, është 25 prill gjithmonë."
Duhet ta kujtojmë sepse falë këtyre njerëzve, që luftuan, vuajtën dhe u sakrifikuan për ne gjatë Luftës së Çlirimit, ne kemi lirinë që gëzojmë sot. Ata kontribuuan në lirinë tonë, qofshin me uniformë apo pa uniformë dhe ne nuk mund ta harrojmë këtë. Sepse të harrosh do të thotë t'i marrësh gjërat si të mirëqena. Dhe realiteti i sotëm fatkeqësisht na mëson se lirinë nuk mund ta marrim kurrë si të mirëqenë. Sot e kemi demokracinë dhe e shohim se çfarë po ndodh në botë. Ajo mund të vihet në rrezik nga çdo lloj ngjarjeje. Prandaj duhet ta ruajmë me çdo kusht. Dhe kjo është një detyrë, jo vetëm sepse na është dhuruar falë njerëzve si Zignani, por edhe sepse duhet t'ua lëmë brezave të ardhshëm. Kjo është gjithashtu një mënyrë për të nderuar këta njerëz që u sakrifikuan për ne./dritare.net