Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Shko vish fustanin e Elisës! Braçe dhe Berisha përplasen në Kuvend

Shko vish fustanin e Elisës! Braçe dhe Berisha përplasen

Protestat kundër qeverisë në Tiranë kanë sjellë përplasje verbale gjatë seancës së sotme plenare mes kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe deputetit socialist Erion Braçe. Gjatë fjalës së tij, Braçe ironizoi kreun e PD-së, duke e cilësuar si “luan” dhe duke i kërkuar të shpjegojë përse nuk përsërit në Kuvend thirrjet e protestuesve “Rama në burg, Berisha në burg”.

“Luanin që sapo dëgjova nuk arrij ta kuptoj pse këtu nuk thërret ‘Rama në burg, Berisha në burg’, por e bën atje, dhe këtu nuk e bën. Cila është arsyeja që një luan trim nuk bërtet edhe këtu? Ky është një problem moral. Si mundet një pedagog të vijë këtu të thotë ‘po do ta djeg ministrinë e Arsimit se e dua’, ky është një problem i madh moral. Dhe të thuash që më 28 nëntor protesta është madhështore kur ajo nuk ka ndodhur është një problem logjik që nuk më rri”, tha mes të tjerash Braçe.

Në përgjigje të deputetit socialist, Berisha përdori një batutë lidhur me veshjen e Elisa Spiropalit, ndërsa më pas akuzoi qeverinë se po provokon protestuesit përmes ndërhyrjeve në trotuaret e kryeqytetit. Sipas kreut të demokratëve, heqja e pllakave të trotuareve po bëhet nga frika se ato mund të përdoren gjatë protestave.

“Kam vetëm një këshillë, shko e vish fustanin e Elisës, se ajo meriton ato të tjerat. Me ty e kam. Mos provokoni qytetarët, keni filluar provokacione të ulëta, ju fyeni qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë. Çfarë do të thotë kjo ngritja e trotuarëve që po bëni? Keni frikë se protestuesit do marrin pllakat e trotuarëve. Pse i provokoni protestuesit, ata kanë qenë paqësorë. Pse po çoni kudo trotuaret? Po e bëni për të nxitur dhunë, por çmimin më të lartë ju do e paguani. Ngrini trotuarët tani. Nëse ndonjë nga vajzat apo djemtë e protestës zgjedh pemë për të hedhur vezë, do prisni pemët e Tiranës? Ndaloni urgjentisht ngritjen e trotuarëve, mos prekni trotuarët”, tha Berisha./dritare.net