Nga pushtues në bashkëluftëtarë! Giovanni Cecini për historinë që bashkon shqiptarët dhe italianët!
Dritare.net

Historiani ushtarak italian Giovanni Cecini në një intervistë me gazetaren Rudina Xhunga, analizon një nga periudhat më dramatike të historisë së përbashkët të Shqipërisë dhe Italisë. Nga ambiciet pushtuese të Musolinit dhe dështimi i fashizmit, te lufta italo-greke, kaosi që pasoi kapitullimin e Italisë dhe zgjedhjet e vështira të ushtarakëve italianë përballë pushtimit nazist.
Një vëmendje të veçantë historiani i kushton nënkolonelit Goffredo Zignani, një prej personazheve kyçe të dokumentarit dhe librit “Në besë të shqiptarëve". I nderuar me Medaljen e Artë për Vlerën Ushtarake, Zignani zgjodhi të bashkohej me rezistencën shqiptare dhe të luftonte kundër nazizmit. Cecini flet për formimin e tij intelektual, integritetin moral, guximin dhe sakrificën e tij, si dhe për rëndësinë që ka sot njohja e figurave të tilla historike.
Historiani italian ndalet gjithashtu te marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe italianëve, te humanizmi që kapërceu ndarjet e luftës, rëndësia e ruajtjes së kujtesës historike dhe përgjegjësia që kemi sot për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë.
Një intervistë që lidh historinë me të tashmen dhe na fton të reflektojmë mbi luftën, paqen dhe zgjedhjet individuale në momentet më të vështira të historisë.
Intervista e plotë e gazetares Rudina Xhunga me historianin italian Giovanni Cecini
Rudina Xhunga: Mund të më tregoni për librin tuaj në fillim të kësaj interviste?
Giovanni Cecini: Unë kam shkruar një libër, në të cilin kam përfshirë 15 biografi që u përkasin 15 personazheve të Forcave të Armatosura Italiane gjatë periudhës pas armëpushimit të 8 shtatorit. Të 15-të kanë merituar Medaljen e Artë për Vlerën Ushtarake.
Rudina Xhunga: Çfarë është një Medalje e Artë?
Giovanni Cecini: Është dekorata më e lartë ushtarake që mund t'i jepet një ushtaraku ose një personi civil që ka kryer një veprim të armatosur. Pra, në këtë rast përfshihen edhe partizanët ose persona që ia kanë kushtuar veprimtarinë e tyre kësaj çështjeje. Shumicën e rasteve, këto dekorata u jepen personave që kanë vdekur, të cilët kanë pasur gjest të fundit një veprim shembullor, pikërisht në mënyrën se si kanë shprehur sakrificën e tyre maksimale për atdheun.
Rudina Xhunga: Mes këtyre heronjve të mëdhenj është edhe Goffredo Zignani.
Giovanni Cecini: Po, është edhe Goffredo Zignani. Unë jam përpjekur që në këtë libër të përfshij të gjitha Forcat e Armatosura: ushtrinë, forcat ajrore, marinën, karabinierët, si edhe të gjitha realitetet e mundshme në kontekstin e Luftës së Dytë Botërore, të periudhës së luftës për çlirim, edhe në territoret përtej detit. Shqipëria është një nga këto raste, si një mundësi në të cilën ushtarakët italianë u vunë përballë një zgjedhjeje. Sepse 8 shtatori ishte një moment tragjik në historinë tonë, jo vetëm politike, por edhe ushtarake. Ushtarakët u gjendën në vështirësi për të bërë një zgjedhje, sepse qeveria italiane, qeveria e Pietro Badoglio-s nuk kishte dhënë udhëzime të qarta e të sakta.
Rudina Xhunga: Pse ndodhi në atë mënyrë të papritur?
Giovanni Cecini: Ndodhi në atë mënyrë sepse qeveria italiane kishte frikë. Nuk kishte aftësi për t'u përballur me gjermanët. Gjermanët pas 25 korrikut, pas rënies së Mussolini-t kishin rritur praninë e tyre, jo vetëm në territorin italian, por edhe në territoret e pushtuara nga Italia, si rasti i Shqipërisë. Shqipëria, për më tepër, kishte pasur një pushtim të mëparshëm, pasi ishte aneksuar në territoret italiane në pranverën e vitit 1939. Pra, kishte edhe një vlerësim të rendit ndërkombëtar. Shqipëria nuk bënte pjesë në ato territore të pushtuara gjatë luftës, ku kishte pasur edhe bashkëpunim me gjermanët.
Për këtë arsye, situata ishte shumë e vështirë. Më 8 shtator aleatët e detyruan të shpallte armëpushimin, madje vetë anglo-amerikanët njoftuan botën se Italia kishte nënshkruar një dorëzim dhe nuk po luftonte më në krah të Gjermanisë. Si pasojë, trupat italiane u gjendën në një paqartësi të plotë sepse nuk dinin si të silleshin ndaj gjermanëve dhe as ndaj forcave që luftonin kundër tyre, pra forcave zyrtare aleate, anglezë, amerikanë, por edhe ndaj formacioneve vendase në Shqipëri, siç ishte rezistenca.
Kjo e fundit bëhej automatikisht një bashkëbiseduese e mundshme e italianëve.
Gjermanët ishin shumë të orientuar politikisht. Ata e dinin se çfarë duhej të bënin: duhej të përpiqeshin të merrnin rezultatin maksimal duke çarmatosur italianët, nëse ishte e mundur, të siguronin bashkëpunimin e tyre dhe të merrnin armatimet.
Pra, përpiqeshin të gjenin edhe një pozicion strategjik, sepse nuk përjashtohej mundësia e një zbarkimi të aleatëve në Ballkan. Ky ishte një nga synimet e Winston Churchill-it, i cili më pas nuk u realizua, sepse amerikanët nuk do të lejonin angazhimin e trupave në Ballkan, edhe për shkak të marrëveshjes me sovjetikët, pasi kishte filluar të përcaktohej pjesërisht ndarja e zonave të influencës. Por, nga ana tjetër, për aleatët perëndimorë, sidomos për Shtetet e Bashkuara, ishte e nevojshme të angazhonin një front të dytë në Francë. Në thelb, pas rënies së fashizmit në korrik 1943, fronti i Mesdheut mori një rol dytësor për anglo-amerikanët. Ishte një front ku duhej të angazhoheshin sa më shumë gjermanë, por pa një përcaktim, pa një aftësi për të vendosur aty fatin e luftës. Në këtë kontekst, italianët u gjendën në një situatë shumë të ndërlikuar.
Rudina Xhunga: Në këtë situatë komplekse gjithçka u bë çështje zgjedhjesh, që nuk varej më nga qeveria, por nga karakteri yt.
Giovanni Cecini: Pikërisht. Zgjedhja personale bëhet një element individual, në bazë të ndërgjegjes së secilit, por edhe të përvojës së tij. Sepse pika thelbësore është se italianët kishin luftuar, për mirë ose për keq, për tre vjet bashkë me gjermanët. Pra, kishin krijuar një marrëdhënie, por edhe një ndjenjë besimi. Prandaj ishte shumë e vështirë të zgjidhje që t'i shihje menjëherë gjermanët si armiq. Kjo ishte shumë e ndërlikuar. Në këtë rast, koloneli Zignani pati aftësinë e madhe për të kuptuar realitetin e përgjithshëm, pra për të interpretuar komunikatën e qeverisë së Badoglio-s në të gjithë kompleksitetin e saj.
Badoglio thoshte në komunikatë: "Forcat e Armatosura italiane do t'u përgjigjen sulmeve të mundshme nga çdo burim tjetër që nuk është aleat."
Pra, burimi tjetër mund të ishin vetëm gjermanët, por kjo nuk thuhej dhe nuk shpjegohej qartë, sepse ekzistonte kjo paqartësi. Qeveria e Badoglio-s lëvizte gjithmonë pa marrë një vendim plotësisht të qartë, sepse kishte frikë nga reagimi i gjermanëve. Prandaj përpiqej të ruante një situatë relativisht të paqartë, edhe brenda një realiteti italian kompleks.
Në pasditen e 8 shtatorit, pak para se armëpushimi të shpallej publikisht, në Romë u mbajt mbledhja e Këshillit të Kurorës ku mori pjesë edhe mbreti Vittorio Emanuele III, në të cilën përfaqësues politikë dhe ushtarakë vlerësuan se çfarë mund të bëhej. Madje u mendua edhe mundësia për ta mohuar armëpushimin, domethënë t'u bëhej gjermanëve të besonin se gjithçka ishte një sajesë e anglo-amerikanëve. Kjo tregon qartë se edhe në Romë ekzistonte një paqartësi e madhe, e cila do të zbulohej vetëm pak orë më vonë. Kjo bëhej sepse i trembeshin jo vetëm hakmarrjes së gjermanëve, por edhe hakmarrjes së anglo-amerikanëve, të cilët ndiheshin të mashtruar në këtë situatë tejet të vështirë.
Rudina Xhunga: Mesa duket kohët po kthehen. Duket se bota është në të njëjtin kaos.
Giovanni Cecini: Fatkeqësisht, situata aktuale nuk është e qetë. Deri në rënien e Murit të Berlinit, Evropa Perëndimore kishte si pikë të qëndrueshme NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara, si një aleate të sigurt që garantonte mbrojtje. Sot, pas rreth 35 vitesh, këto siguri nuk ekzistojnë më dhe gjendemi përballë një pasigurie të madhe, pothuajse në mëshirë të ngjarjeve.
Evropa, për fat të keq, nuk ka një peshë të mjaftueshme as në aspektin politiko-diplomatik dhe as në atë ushtarak. Si rrjedhojë, shpesh e pëson nga vendimet ndërkombëtare, më shumë sesa ndikon tek ato. Prej katër vitesh shohim luftën midis Rusisë dhe Ukrainës, e cila vazhdon me vështirësi të mëdha. Pavarësisht këndvështrimeve të ndryshme, mbetet fakti se kemi një palë që ka sulmuar dhe një palë që po mbrohet. Deri para pak kohe ekzistonte një vullnet i fortë për të ndihmuar palën që mbrohej, por me administratën Trump shumë gjëra kanë ndryshuar.
Rudina Xhunga: Çfarë mund të mësojmë nga heronjtë tanë? Sepse Zignani është heroi ynë, i shqiptarëve dhe italianëve.
Giovanni Cecini: Zignani na mëson, mbi të gjitha, aftësinë për të qenë koherent me parimet e veta. Zignani, si oficer i Ushtrisë Mbretërore, mbante yjet në jakë, që simbolizonin besnikërinë ndaj mbretit. Besnikëria ndaj mbretit nënkuptonte edhe të pasurit të një morali të caktuar. Në atë rast, ai e kuptoi se e mira e shtetit dhe e atdheut të tij ishte që të shkëputej edhe nga urdhrat lokalë të Komandës së Armatës së 9-të, të Dalmazzo-s, në një situatë me dinamika jashtëzakonisht të ndërlikuara.
Ai rrezikoi jetën dhe kuptoi se mënyra më e mirë për t'i shërbyer atdheut dhe për të mbrojtur betimin që kishte bërë ishte të dilte në ilegalitet, të afrohej me rezistencën shqiptare dhe të kishte si objektiv kundërshtimin e pushtetit dhe të pushtimit nazist gjerman. Sipas meje, ky është mësimi i madh që Zignani mund të na japë edhe sot. Sakrifica e tij, ashtu si edhe ajo e të gjithë njerëzve që bënë të njëjtën zgjedhje, duhet të jetë një arsye për t'i kujtuar dhe për t'u thënë faleminderit këtyre njerëzve, falë të cilëve sot ne mund të gëzojmë njëfarë lirie. Fatkeqësisht, kjo shpesh harrohet. Nëse sot, më shumë se 80 vjet më vonë, jetojmë në një vend të lirë dhe demokratik, këtë ua detyrojmë edhe burrave dhe grave si Zignani, të cilët pas 8 shtatorit bënë një zgjedhje koherence dhe sakrifice, sepse ishte jashtëzakonisht e vështirë të zgjidhje në një kontekst kaq të ndërlikuar. Zgjedhjet tona shpesh kushtëzohen nga përvoja e mëparshme, nga ndjenjat, nga miqësitë apo nga bindjet ideologjike. Ka shumë faktorë që ndikojnë. Zignani vinte nga një familje me ndjenja liberale, madje edhe me ndjenja republikane. Familja e tij kishte pësuar padrejtësi gjatë fashizmit. Megjithatë, ai vazhdoi angazhimin e tij në karrierën ushtarake si oficer i Ushtrisë së Mbretërisë së Italisë, por me kalimin e kohës arriti të dëshmojë edhe një herë integritetin e tij moral dhe ndershmërinë intelektuale.
Për më tepër, ai ishte një njeri i kulturuar dhe kishte shkruar disa libra, madje edhe manuale profesionale për ushtarët. Pra, ishte një njeri me aftësi të mëdha intelektuale, por edhe një njeri i veprimit. Duke qenë oficer i Shtabit të Përgjithshëm, ai kishte një rol të rëndësishëm. Në detyrën e fundit që mbajti, si drejtues i Zyrës së Operacioneve pati vështirësi në komunikimin me komandën dhe me eprorët e tij. Por pikërisht kjo, së bashku me studimet dhe përvojën e tij, e ndihmoi të krijonte një ide të qartë se si duhej të reagonte dhe të kuptonte situatën në të cilën ndodhej. Kjo ishte një meritë që e dallonte nga shumë kolegë apo eprorë të tjerë, të cilët ndoshta i pranonin në mënyrë jokritike urdhrat e eprorëve, pa i kuptuar plotësisht, ose mendonin se gjermanët do ta zgjidhnin situatën me mirëkuptim. Ndërsa ai e kishte kuptuar shumë mirë se objektivi kryesor i gjermanëve ishte çarmatimi i italianëve dhe marrja e pozicioneve më të favorshme përgjatë bregdetit, në mënyrë që të kishin një pozicion strategjik sa më të përshtatshëm edhe në rast të një zbarkimi të mundshëm të forcave anglo-amerikane, i cili nuk mund të përjashtohej.
Prandaj, Zignani duhet vlerësuar jo vetëm për integritetin e tij të madh moral, por edhe për aftësinë e tij si njeri për të zgjidhur problemet, për të kuptuar situatën dhe për të vepruar në përputhje me të. Kjo ishte një cilësi që, për fat të keq, nuk e kishin të gjithë, por që karakterizonte më të mirët. Dhe Zignani ishte padyshim një prej tyre. Jo vetëm për aftësinë e tij analitike dhe zgjuarsinë, por edhe për gatishmërinë për të vënë jetën e tij në rrezik. Ai u kap rob edhe sepse u përpoq të shpëtonte njerëzit e tij. Nuk u fsheh, por kërkoi të qëndronte pranë ushtarëve të tij, të ndante me ta rreziqet dhe të bënte gjithçka që mundej për t'i mbrojtur. Kjo na jep një tjetër arsye për ta vlerësuar dhe për t'i dhënë meritat që i takojnë. Përndryshe, një medalje jepet në atë kohë dhe historia përfundon aty. Por nuk duhet të jetë kështu.
Ekziston një shprehje shumë e bukur për 25 prillin, Festën e Çlirimit: "25 prilli 1945 nuk është vetëm një datë, është 25 prill gjithmonë."
Duhet ta kujtojmë sepse falë këtyre njerëzve, që luftuan, vuajtën dhe u sakrifikuan për ne gjatë Luftës së Çlirimit, ne kemi lirinë që gëzojmë sot. Ata kontribuuan në lirinë tonë, qofshin me uniformë apo pa uniformë dhe ne nuk mund ta harrojmë këtë. Sepse të harrosh do të thotë t'i marrësh gjërat si të mirëqena. Dhe realiteti i sotëm fatkeqësisht na mëson se lirinë nuk mund ta marrim kurrë si të mirëqenë. Sot e kemi demokracinë dhe e shohim se çfarë po ndodh në botë. Ajo mund të vihet në rrezik nga çdo lloj ngjarjeje. Prandaj duhet ta ruajmë me çdo kusht. Dhe kjo është një detyrë, jo vetëm sepse na është dhuruar falë njerëzve si Zignani, por edhe sepse duhet t'ua lëmë brezave të ardhshëm. Kjo është gjithashtu një mënyrë për të nderuar këta njerëz që u sakrifikuan për ne.
Rudina Xhunga: Po ky libër, çfarë lidhjeje ka me librin tjetër?
Giovanni Cecini: Unë kam shumë libra, një bibliotekë time, e cila më shërben për të studiuar dhe për të realizuar kërkimet e mia. Kam edhe një kanal në YouTube, ku bëj trajtime më të thelluara jo vetëm për historinë, por edhe për shumë fusha të tjera. Ky është një botim i vogël i publikuar në vitin 1936 nga Instituti për Studime të Politikës Ndërkombëtare, një institucion që botonte studime dhe materiale të thelluara. Kishte një seri botimesh ku trajtoheshin vende të ndryshme, si Anglia, Franca, Gjermania etj. Ky botim është shumë interesant sepse është publikuar dy vjet përpara se Italia të pushtonte Shqipërinë. Në atë kohë, mes dy vendeve ekzistonin marrëdhënie të frytshme, që nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë dhe pas Luftërave Ballkanike. Kishte marrëdhënie politike, ushtarake dhe tregtare, ndaj Italia i kushtonte një vëmendje të veçantë Shqipërisë. Jo vetëm për shkak të afërsisë gjeografike, por edhe sepse ekzistonin mundësi që, në perspektivë, Italia ta pushtonte atë. Kjo lidhej natyrisht edhe me synimet e regjimit fashist për zgjerim territorial.
Prandaj është e rëndësishme të kuptojmë dhe të studiojmë fenomenet historike. Për shembull, pse Mussolini dhe Italia e pushtuan Shqipërinë në prill të vitit 1939? Sepse vetëm një muaj më parë, në mars të vitit 1939 Gjermania kishte pushtuar Çekosllovakinë. Pra, kemi të bëjmë edhe me një lojë ekuilibrash dhe kundërpeshash. Gjermania kishte arritur të merrte nën kontroll një zonë strategjike për të, si Bohemia dhe Moravia, ndërsa më pas u krijua edhe Sllovakia si shtet autonom. Një muaj më vonë, italianët pushtuan Shqipërinë, duke kurorëzuar një synim që e kishin prej disa vitesh: të kishin përtej Adriatikut një zotërim që do t'u mundësonte kontrollin dhe menaxhimin e vetë hapësirës së Adriatikut. Në anën tjetër të Adriatikut ndodhej Jugosllavia, e cila shihej si një rivale. Më pas, në mënyrë tragjike dhe dramatike, Shqipëria do të shërbente si trampolinë për tentativën e Italisë për të pushtuar Greqinë, rreth një vit e gjysmë më vonë. Me gjithë dramat që solli ishte një fushatë ushtarake katastrofike. Kjo na bën të kuptojmë se kishte njëfarë dritëshkurtësie të regjimit fashist, të mënyrës se si planifikohej zgjerimi, i cili shpesh lidhej me ëndrra dhe ambicie të parealizueshme. Pra, ishin plane pa themel. Mjafton të kujtojmë se fushata në Greqi nisi më 28 tetor 1940, në mes të vjeshtës. Sulmi u krye në zonën e Epirit, në kushte shumë të vështira klimatike, me shi, dëborë dhe të ftohtë.
Rudina Xhunga: Pashë në Arkivin Historik, fotografi të njerëzve që kishin vdekur në dëborë.
Giovanni Cecini: Kjo tregon qartë se ishte zgjedhur periudha e gabuar për të sulmuar. Përveç kësaj, trupat duhej të transportoheshin përmes një deti të trazuar, me të gjitha problemet që kjo sillte. Pra, kuptohet qartë se fashizmi ishte një dështim në çdo pikëpamje: një dështim politik, shoqëror, ushtarak dhe ekonomik.
Këto përvoja ushtarake të Luftës së Dytë Botërore na bëjnë të kuptojmë se fashizmi ishte shkatërrimtar që në fillimet e tij. Në Itali shpesh dëgjojmë politikanë që thonë: "Mussolini ka bërë edhe gjëra të mira."
Përpiqen ta justifikojnë, duke thënë se të vetmet gjëra negative që ka bërë kanë qenë ligjet racore kundër hebrenjve ose aleanca me Gjermaninë. Jo. Mund të themi se fashizmi ishte një dështim i plotë, madje edhe një krim. Kundërshtarët politikë vriteshin, burgoseshin, detyroheshin të emigronin. Kjo na bën të kuptojmë se i gjithë ky proces, i cili përfundoi me luftën dhe me 8 shtatorin, ishte një dramë totale. Italia mbeti në gërmadha. Lufta e Dytë Botërore e çoi Italinë drejt disfatës së plotë, për të gjitha arsyet që përmendëm. Madje shkuam deri aty sa sulmuam edhe Rusinë, diçka që ishte vërtet pa kuptim. Më 26 janar në Itali përkujtohet "Dita e Kujtesës dhe e Sakrificës së Alpinëve". Është një përkujtim i përcaktuar me ligj nga Parlamenti, por që është kundërshtuar shumë. Është një ligj vërtet i debatueshëm, sepse 26 janari përkon me përvjetorin e betejës së Nikolajevkës, në Rusi. Bëhet fjalë për tërheqjen nga Rusia, pas disfatave të betejës së Stalingradit. Forcat e boshtit, Gjermania dhe Italia, duhej të tërhiqeshin dhe në qytetin e Nikolajevkës u krijua një rrethim, në të cilin trupat alpine italiane u gjendën të rrethuara. Ato arritën të dilnin prej tij me shumë vështirësi. Edhe pas luftës, pjesërisht i nxitur nga një frymë antikomuniste u vazhdua me këtë përkujtim të 26 janarit. Parlamenti Italian, në mënyrë të pamatur, sipas mendimit tim, duke përdorur edhe disa pretekste të diskutueshme, e caktoi 26 janarin si ditën kushtuar trimërisë së trupave alpine. Kjo bëhet në një rast kur trupat alpine ishin pjesë e një ushtrie që po sulmonte dhe pushtonte një vend tjetër. Pra, nuk mendoj se ishte zgjedhja më e përshtatshme. Mund të ishin gjetur data më të përshtatshme, për shembull, nga Lufta e Parë Botërore, kur në të vërtetë mbrohej territori kombëtar kundër Austro-Hungarisë. Këto ishin premisat politike për vendin që do të pushtohej dy vite më vonë: Shqipëria, viktima e parë pas Etiopisë, në vitet 1935–1936. Më pas mori pjesë në Luftën e Spanjës, në vitin 1936, në krah të Frankos, në krah të nacionalistëve që kishin përmbysur qeverinë e Madridit, në luftën që zgjati nga viti 1936 deri në vitin 1939.
Pastaj, në prill të vitit 1939 erdhi agresioni dhe pushtimi i Shqipërisë. Dhe një vit më vonë, me ndërhyrjen në krah të gjermanëve pasuan të gjitha fushatat e tjera: Franca, Afrika e Veriut, Egjipti, më pas Greqia, Jugosllavia dhe Bashkimi Sovjetik. Kemi një varg të tërë agresionesh, të cilat përputhen shumë pak me idenë e mbrojtjes së atdheut. Bëhet fjalë për një koncept agresioni që shkon përtej çdo koncepti racional të vlerës dhe të trimërisë ushtarake. Kjo vlen edhe më shumë sot, sepse Italia, në Kushtetutën e saj, ka një nen që thotë se e mohon luftën si mjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare. Prandaj të kujtosh një trupë kaq të rëndësishme si trupat alpine në një ditë që lidhet me një agresion ndaj një vendi tjetër, ndoshta nuk ka qenë zgjedhja më e mirë.
Rudina Xhunga: Një zgjedhje që duhet të bëjmë është të flasim për marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë. Për marrëdhëniet e një kohe që ndoshta nuk duam ta kujtojmë, por për të cilat duhet të flasim. Duhet të flasim për njerëzit që ia hapën shtëpinë armikut të dikurshëm.
Giovanni Cecini: Po, është e kuptueshme se përtej ndarjeve dhe përplasjeve të mëparshme, mund të ekzistonte edhe një ndjenjë përbashkimi. Në atë moment, objektivi ishte lufta kundër gjermanëve, t'i kundërviheshe pushtimit. Pra, në mënyrë paradoksale, italianët që deri një ditë më parë kishin qenë pushtues (nga viti 1939 deri në 1943-shin), edhe pse ky pushtim ishte formalizuar brenda një sistemi juridik, për shqiptarët mbeteshin gjithsesi pushtues. Nuk mund të fshihet thelbi i çështjes. Por, në atë moment, u kuptua se objektivi ishte tjetër: se gjermanët përfaqësonin në të vërtetë armikun e italianëve dhe armikun e shqiptarëve. Prandaj lindi bashkëpunimi i armatosur, me veprime të përbashkëta dhe sinergjike, ku pati mundësi të luftohej së bashku, por pati edhe mbështetje nga ana e popullit.
Rudina Xhunga: Është e vërtetë që ata gjetën të njëjtin armik një ditë më pas, por duhet t'u themi faleminderit atyre njerëzve që nuk kuptonin kaq shumë, por hapën dyert e shtëpive të tyre, sepse ishin njerëz dhe e trajtuan tjetrin si njeri, jo si italian, jo si armik apo mik.
Giovanni Cecini: Unë personalisht, për këtë çështje specifike nuk kam bërë studime të thelluara, prandaj nuk mund të hyj në raste konkrete. Megjithatë, pa dyshim që mundësia për mbështetje ekzistoi dhe ishte e rëndësishme, qoftë edhe vetëm në planin antropologjik. Siç e thatë ju, ekzistonte një emërues i përbashkët, një ndjenjë e identitetit të përbashkët, e njëjta ndjesi e të qenit njeri, nga personi te personi. Dhe ky ka qenë padyshim një kontribut themelor për të ndërtuar më pas marrëdhëniet mes dy vendeve. Nëse sot vini në Romë dhe kërkoni të informoheni ose të nderoni një ushtar të rënë në luftë, që deri pak ditë më parë ishte armik, kjo tregon se një punë e rëndësishme dhe pozitive është bërë.
Kjo do të thotë se ekzistonin të gjitha mundësitë për një dialog të ri, për të kapërcyer keqkuptimet dhe një periudhë të vështirë e tragjike të së kaluarës sonë të përbashkët. Ky është një terren i përbashkët që na lejon të vlerësojmë përvojat e rezistencës, bashkëpunimit dhe sakrificës. Figura si Zignani duhet të kujtohen shumë më shpesh dhe shpresoj që ky rast të shërbejë si një mënyrë tjetër për kujtim të përbashkët dhe për ndarje të kësaj historie mes nesh. Sepse nëse i pyet sot njerëzit: "E njeh Goffredo Zignani-n?", me shumë gjasa askush nuk e njeh. Prandaj është e rëndësishme t'u jepet më shumë hapësirë dhe vlerë këtyre figurave.
Rudina Xhunga: Faleminderit shumë!
Giovanni Cecini: Faleminderit ju!/dritare.net
