Rama: Kemi trefishuar ekonominë, Shqipëria do të marrë më shumë fonde nga BE-ja!
Dritare.net

Shqipëria pritet të përfitojë më shumë financime nga Bashkimi Europian në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së investimeve BE-Ballkani Perëndimor, duke ia atribuar këtë zhvillim përmbushjes së reformave dhe angazhimeve të vendit.
Kreu i qeverisë u ndal edhe te zhvillimi ekonomik i Shqipërisë gjatë dhjetë viteve të fundit, duke deklaruar se ekonomia e vendit është rritur nga 10 në 30 miliardë euro. Rama vuri në dukje gjithashtu pozicionin strategjik të Shqipërisë dhe potencialin e saj për tërheqjen e investimeve të huaja.
“Ndërsa kjo konferencë i afrohet fundit, më lejoni të falënderoj së pari KE-në, partnerët tanë rajonalë dhe investuesit e bizneset që i dhanë thelbin këtyre dy ditëve.
Më lini ta nis duke thënë se sa larg kemi ardhur, sepse dhe unë e përshkova gjithë rrugën nga epoka e akullit te temperatura e dhomës, e kam shumë të vështirë ta mendoj se si e nisëm.
Një dekadë më vonë, pas procesit të Berlinit, lindi plani i ri i rritjes. Si një rajon që përpiqet që të kapë ritmin me BE-në, jemi më shumë se kaq, jemi një rajon i ri investimi.
Është një propozim dhe propozimi duhet të vërtetohet me projekte dhe partneritete. Shihni Shqipërinë, një dekadë më parë, ishte një ekonomi 10 miliardë euro, sot është një ekonomi 30 miliardë euro.
E kemi trefishuar ekonominë dhe synojmë të bëjmë më shumë. Gjendemi mes Adriatikut dhe Jonit, përballë Italisë, portë hyrëse në Ballkan, anëtare e NATO-s dhe synojmë të jemi anëtare e BE-së.
Sapo jam kthyer nga samiti BE-Ballkan Perëndimor me lajme të mira dhe jam besimplotë se Marta do ua thotë. Shqipëria do të marrë më shumë nga plani i rritjes, jo si nder, por se kemi bërë mirë detyrat e shtëpisë”, tha Rama./dritare.net