Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Fashizmi ishte një dështim i plotë! Historiani italian Giovanni Cecini për pushtimin e Shqipërisë në 1939

Fashizmi ishte një dështim i plotë! Historiani italian Giovanni

Pse Mussolini vendosi të pushtonte Shqipërinë në prill të vitit 1939 dhe si u shndërrua territori shqiptar në pikënisjen e një prej fushatave më katastrofike të ushtrisë italiane gjatë Luftës së Dytë Botërore?

Në një intervistë me gazetaren Rudina Xhunga në DritareTV, historiani ushtarak italian Giovanni Cecini analizon ambiciet territoriale të regjimit fashist, marrëdhëniet mes Italisë dhe Gjermanisë, si dhe gabimet strategjike që e çuan Italinë drejt disfatës.

Në intervistën e realizuar në kuadër të dokumentarit dhe librit “Në besë të shqiptarëve”, me autore gazetaren Rudina Xhunga, Cecini kundërshton edhe përpjekjet për të justifikuar figurën e Musolinit, duke e cilësuar fashizmin një dështim politik, shoqëror, ushtarak dhe ekonomik.

Pjesë nga intervista

Giovanni Cecini: Është e rëndësishme të kuptojmë dhe të studiojmë fenomenet historike. Për shembull, pse Mussolini dhe Italia e pushtuan Shqipërinë në prill të vitit 1939? Sepse vetëm një muaj më parë, në mars të vitit 1939 Gjermania kishte pushtuar Çekosllovakinë. Pra, kemi të bëjmë edhe me një lojë ekuilibrash dhe kundërpeshash. Gjermania kishte arritur të merrte nën kontroll një zonë strategjike për të, si Bohemia dhe Moravia, ndërsa më pas u krijua edhe Sllovakia si shtet autonom.

Një muaj më vonë, italianët pushtuan Shqipërinë, duke kurorëzuar një synim që e kishin prej disa vitesh: të kishin përtej Adriatikut një zotërim që do t'u mundësonte kontrollin dhe menaxhimin e vetë hapësirës së Adriatikut. Në anën tjetër të Adriatikut ndodhej Jugosllavia, e cila shihej si një rivale. Më pas, në mënyrë tragjike dhe dramatike, Shqipëria do të shërbente si trampolinë për tentativën e Italisë për të pushtuar Greqinë, rreth një vit e gjysmë më vonë. Me gjithë dramat që solli ishte një fushatë ushtarake katastrofike. Kjo na bën të kuptojmë se kishte njëfarë dritëshkurtësie të regjimit fashist, të mënyrës se si planifikohej zgjerimi, i cili shpesh lidhej me ëndrra dhe ambicie të parealizueshme. Pra, ishin plane pa themel. Mjafton të kujtojmë se fushata në Greqi nisi më 28 tetor 1940, në mes të vjeshtës. Sulmi u krye në zonën e Epirit, në kushte shumë të vështira klimatike, me shi, dëborë dhe të ftohtë.

Rudina Xhunga: Pashë në Arkivin Historik, fotografi të njerëzve që kishin vdekur në dëborë.

Giovanni Cecini: Kjo tregon qartë se ishte zgjedhur periudha e gabuar për të sulmuar. Përveç kësaj, trupat duhej të transportoheshin përmes një deti të trazuar, me të gjitha problemet që kjo sillte. Pra, kuptohet qartë se fashizmi ishte një dështim në çdo pikëpamje: një dështim politik, shoqëror, ushtarak dhe ekonomik.

Këto përvoja ushtarake të Luftës së Dytë Botërore na bëjnë të kuptojmë se fashizmi ishte shkatërrimtar që në fillimet e tij. Në Itali shpesh dëgjojmë politikanë që thonë: “Mussolini ka bërë edhe gjëra të mira.”

Përpiqen ta justifikojnë, duke thënë se të vetmet gjëra negative që ka bërë kanë qenë ligjet racore kundër hebrenjve ose aleanca me Gjermaninë. Jo. Mund të themi se fashizmi ishte një dështim i plotë, madje edhe një krim. Kundërshtarët politikë vriteshin, burgoseshin, detyroheshin të emigronin. Kjo na bën të kuptojmë se i gjithë ky proces, i cili përfundoi me luftën dhe me 8 shtatorin, ishte një dramë totale. Italia mbeti në gërmadha./Dritare.net