Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Radhë të gjata në Pallatin e Kongreseve, Max Amini sjell spektaklin e humorit në Tiranë!

Radhë të gjata në Pallatin e Kongreseve, Max Amini sjell

Radhë të gjata qytetarësh janë krijuar këtë mbrëmje përpara Pallatit të Kongreseve në Tiranë, ku komediani i njohur amerikano-iranian Max Amini nis serinë e shfaqjeve për publikun shqiptar.

Artisti, i njohur ndërkombëtarisht për performancat e tij stand-up comedy, do të zhvillojë tetë shfaqje në katër mbrëmje në kryeqytetin shqiptar, ndërsa për shumicën e tyre kanë mbetur një numër i kufizuar biletash.

Ndërkohë, për shkak të situatës në Tiranë, ku më 28 nëntor është paralajmëruar protesta kombëtare, organizatorët kanë njoftuar zhvendosjen e dy shfaqjeve të kësaj date për më 30 nëntor.

Sipas kalendarit të përditësuar, Max Amini do të performojë në Pallatin e Kongreseve në këto data dhe orare:

27 nëntor, ora 18:30 dhe 21:30;
29 nëntor, ora 17:00 dhe 20:00;
30 nëntor, ora 18:30 dhe 21:30;
1 dhjetor, ora 18:30 dhe 21:30.
Biletat e blera për shfaqjet e 28 nëntorit mbeten të vlefshme për datën e re, pa qenë e nevojshme të ndërrohen.

Të gjitha shfaqjet zhvillohen në gjuhën angleze dhe janë të hapura për publikun nga mosha 13 vjeç.

Kush është Max Amini?

I lindur në vitin 1981 në Tucson të Arizonës, në një familje me origjinë iraniane, Max Amini është një komedian dhe aktor amerikan, i cili ka fituar popullaritet ndërkombëtar përmes shfaqjeve të tij dhe videove në rrjetet sociale.

Humori i tij përqendrohet kryesisht te marrëdhëniet familjare, dallimet kulturore dhe situatat e jetës së përditshme. Ajo që e dallon nga shumë komedianë të tjerë është komunikimi i drejtpërdrejtë me publikun dhe aftësia për të improvizuar në skenë, duke e bërë çdo shfaqje të ndryshme nga tjetra.

Me miliona ndjekës në rrjetet sociale, Max Amini ka zhvilluar turne në vende të ndryshme të botës, ndërsa interesi i madh i publikut shqiptar ka bërë që në Tiranë të shtohet edhe një shfaqje e re, më 1 dhjetor, në orën 21:30./dritare.net