Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

28 Nëntori, festë apo protestë? Ja çfarë thonë qytetarët

28 Nëntori, festë apo protestë? Ja çfarë thonë

Në prag të festave të nëntorit, DritareTV pyeti qytetarët në rrugët e Tiranës se si e presin Ditën e Pavarësisë dhe çfarë mendojnë për protestën e thirrur më 28 nëntor. Shumë prej qytetarëve të intervistuar shprehen kundër zhvillimit të protestës në Ditën e Flamurit, duke kërkuar që kjo festë të mos përzihet me politikën.

“Populli do qetësi, do punë, do të hajë, të pijë, të shohë hesapin e vet. Jo luftë”, shprehet një qytetar.

Një tjetër qytetar, i cili thotë se është me bindje të djathta, kundërshton zgjedhjen e 28 Nëntorit si datë për zhvillimin e protestës.

“Unë me bindje demokrat jam, por nuk e këshilloj. Festa e Flamurit është Festa e Flamurit, mos ta lidhim me politikën. Dil një ditë pas festës, një ditë para festës. Na lini të festojmë, të dalim të gëzojmë, të respektojmë njëri-tjetrin”, shprehet ai.

Të tjerë nuk e kundërshtojnë të drejtën për të protestuar, por kërkojnë që tubimet të zhvillohen në mënyrë paqësore.

“Le ta bëjmë protestën, ta bëjmë të qetë dhe kaq. Vetëm të mos bëjnë vandalizma. U ngop shqiptari me luftë e me vrasje”, thotë një qytetar.

Mes të intervistuarve ka edhe nga ata që e lidhin atmosferën festive me gjendjen ekonomike të familjeve shqiptare.

“Festa ka lezet në rast se ti je në gjendje të mirë ekonomike. Zbukurimet janë anë tjetër. Njeriu duhet të ushqehet, të plotësojë kërkesat e veta, fëmijët duhet t’i ketë mirë, t’i ushqejë mirë, t’i shkollojë mirë”, shprehet një prej tyre.

Qytetarët kujtojnë me nostalgji edhe mënyrën se si festoheshin dikur festat e nëntorit, me këngë, valle, recitime dhe aktivitete në shkolla e sheshe. Disa prej tyre shprehen se atmosfera e festave kombëtare është zbehur ndër vite.

“Ishte kohë tjetër. Kishte ngjyra të tjera. Nuk ishte kjo jetë frenetike që është sot, ku gjithkush shikon interesat e veta, punët e veta”, rrëfen një qytetar./dritare.net