Goffredo Zignani, heroi i shqiptarëve dhe italianëve! Flet historiani italian
Dritare.net

Në shtatorin e vitit 1943, kur mijëra ushtarë italianë në Shqipëri u gjendën përballë një fati të pasigurt, nënkoloneli Goffredo Zignani bëri një zgjedhje që do t’i kushtonte jetën. Ai kundërshtoi urdhrat e eprorëve të tij dhe vendosi të bashkohej me rezistencën shqiptare në luftën kundër nazizmit.
Por çfarë e dallonte Zignanin nga ushtarakët e tjerë italianë? Çfarë e shtyu të rrezikonte jetën dhe të mos i braktiste ushtarët e tij?
Në kuadër të dokumentarit dhe librit “Në besë të shqiptarëve”, me autore gazetaren Rudina Xhunga, historiani ushtarak italian Giovanni Cecini flet në DritareTV për personalitetin, formimin intelektual, integritetin moral dhe guximin e Goffredo Zignanit, një prej personazheve kyçe të këtij projekti.
Për Cecinin, historia e Zignanit nuk është thjesht historia e një ushtaraku të nderuar me Medaljen e Artë për Vlerën Ushtarake, por një shembull i besnikërisë ndaj parimeve dhe i guximit për të mbrojtur lirinë, edhe me çmimin e jetës.
Pjesë nga intervista
Rudina Xhunga: Çfarë mund të mësojmë nga heronjtë tanë? Sepse Zignani është heroi ynë, i shqiptarëve dhe italianëve.
Giovanni Cecini: Zignani na mëson, mbi të gjitha, aftësinë për të qenë koherent me parimet e veta. Zignani, si oficer i Ushtrisë Mbretërore, mbante yjet në jakë, që simbolizonin besnikërinë ndaj mbretit. Besnikëria ndaj mbretit nënkuptonte edhe të pasurit të një morali të caktuar. Në atë rast, ai e kuptoi se e mira e shtetit dhe e atdheut të tij ishte që të shkëputej edhe nga urdhrat lokalë të Komandës së Armatës së 9-të, të Dalmazzo-s, në një situatë me dinamika jashtëzakonisht të ndërlikuara.
Ai rrezikoi jetën dhe kuptoi se mënyra më e mirë për t'i shërbyer atdheut dhe për të mbrojtur betimin që kishte bërë ishte të dilte në ilegalitet, të afrohej me rezistencën shqiptare dhe të kishte si objektiv kundërshtimin e pushtetit dhe të pushtimit nazist gjerman. Sipas meje, ky është mësimi i madh që Zignani mund të na japë edhe sot. Sakrifica e tij, ashtu si edhe ajo e të gjithë njerëzve që bënë të njëjtën zgjedhje, duhet të jetë një arsye për t'i kujtuar dhe për t'u thënë faleminderit këtyre njerëzve, falë të cilëve sot ne mund të gëzojmë njëfarë lirie. Fatkeqësisht, kjo shpesh harrohet. Nëse sot, më shumë se 80 vjet më vonë, jetojmë në një vend të lirë dhe demokratik, këtë ua detyrojmë edhe burrave dhe grave si Zignani, të cilët pas 8 shtatorit bënë një zgjedhje koherence dhe sakrifice, sepse ishte jashtëzakonisht e vështirë të zgjidhje në një kontekst kaq të ndërlikuar. Zgjedhjet tona shpesh kushtëzohen nga përvoja e mëparshme, nga ndjenjat, nga miqësitë apo nga bindjet ideologjike. Ka shumë faktorë që ndikojnë. Zignani vinte nga një familje me ndjenja liberale, madje edhe me ndjenja republikane. Familja e tij kishte pësuar padrejtësi gjatë fashizmit. Megjithatë, ai vazhdoi angazhimin e tij në karrierën ushtarake si oficer i Ushtrisë së Mbretërisë së Italisë, por me kalimin e kohës arriti të dëshmojë edhe një herë integritetin e tij moral dhe ndershmërinë intelektuale.
Për më tepër, ai ishte një njeri i kulturuar dhe kishte shkruar disa libra, madje edhe manuale profesionale për ushtarët. Pra, ishte një njeri me aftësi të mëdha intelektuale, por edhe një njeri i veprimit. Duke qenë oficer i Shtabit të Përgjithshëm, ai kishte një rol të rëndësishëm. Në detyrën e fundit që mbajti, si drejtues i Zyrës së Operacioneve pati vështirësi në komunikimin me komandën dhe me eprorët e tij. Por pikërisht kjo, së bashku me studimet dhe përvojën e tij, e ndihmoi të krijonte një ide të qartë se si duhej të reagonte dhe të kuptonte situatën në të cilën ndodhej. Kjo ishte një meritë që e dallonte nga shumë kolegë apo eprorë të tjerë, të cilët ndoshta i pranonin në mënyrë jokritike urdhrat e eprorëve, pa i kuptuar plotësisht, ose mendonin se gjermanët do ta zgjidhnin situatën me mirëkuptim. Ndërsa ai e kishte kuptuar shumë mirë se objektivi kryesor i gjermanëve ishte çarmatimi i italianëve dhe marrja e pozicioneve më të favorshme përgjatë bregdetit, në mënyrë që të kishin një pozicion strategjik sa më të përshtatshëm edhe në rast të një zbarkimi të mundshëm të forcave anglo-amerikane, i cili nuk mund të përjashtohej.
Prandaj, Zignani duhet vlerësuar jo vetëm për integritetin e tij të madh moral, por edhe për aftësinë e tij si njeri për të zgjidhur problemet, për të kuptuar situatën dhe për të vepruar në përputhje me të. Kjo ishte një cilësi që, për fat të keq, nuk e kishin të gjithë, por që karakterizonte më të mirët. Dhe Zignani ishte padyshim një prej tyre. Jo vetëm për aftësinë e tij analitike dhe zgjuarsinë, por edhe për gatishmërinë për të vënë jetën e tij në rrezik. Ai u kap rob edhe sepse u përpoq të shpëtonte njerëzit e tij. Nuk u fsheh, por kërkoi të qëndronte pranë ushtarëve të tij, të ndante me ta rreziqet dhe të bënte gjithçka që mundej për t'i mbrojtur. Kjo na jep një tjetër arsye për ta vlerësuar dhe për t'i dhënë meritat që i takojnë. Përndryshe, një medalje jepet në atë kohë dhe historia përfundon aty. Por nuk duhet të jetë kështu./Dritare.net