Na ndiqni edhe në

Bota

Sondazhet favorizojnë të djathtën, Spanja mund të ketë qeverinë e parë me ekstremistët që nga viti 1975

Sondazhet favorizojnë të djathtën, Spanja mund të ketë

Spanja voton këtë të diel në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat mund të sjellin në pushtet të djathtën ekstreme për herë të parë që nga rikthimi i demokracisë pas vdekjes së diktatorit Francisco Franco në vitin 1975.

Kryeministri socialist Pedro Sánchez thirri zgjedhjet e parakohshme në tetor, pas rrëzimit nga opozita të paketës së masave që qeveria kishte propozuar për të përballuar krizën e strehimit dhe rritjen e çmimeve të qirave.

Sipas sondazheve, Partia Popullore (PP) pritet të renditet e para, por pa siguruar shumicën parlamentare, duke e bërë të nevojshme një marrëveshje me partinë e ekstremit të djathtë Vox. Së bashku, dy partitë parashikohet të sigurojnë shumicën në parlamentin me 350 vende.

Ndërkohë, Partia Socialiste e Sánchez ka ngushtuar diferencën me rivalët, por mundësitë për krijimin e një koalicioni të ri qeverisës mbeten të kufizuara.

Fushata mes krizës së strehimit dhe akuzave ndaj qeverisë

Kriza e strehimit është kthyer në një nga çështjet kryesore të fushatës, pas zemërimit publik për rritjen e fortë të qirave dhe dëbimin nga banesa të një 87-vjeçareje në Madrid.

Qeveria e Sánchez kishte propozuar masa për kufizimin e dëbimeve deri në vitin 2030 dhe rregullimin e qirave afatshkurtra, por nismat u kundërshtuan nga Partia Popullore, Vox dhe Junts.

Në fushatë, opozita ka kritikuar gjithashtu qeverinë për akuzat për korrupsion ndaj personave të afërt me kryeministrin dhe për menaxhimin e aksidenteve të rënda hekurudhore.

Lideri i Partisë Popullore, Alberto Núñez Feijóo, premton ulje taksash dhe ndërtimin e një milion banesave, ndërsa Vox ka në program masa për kufizimin e emigracionit dhe përparësi për shtetasit e lindur në Spanjë në përfitimin e shërbimeve publike dhe strehimit.

Nga ana tjetër, Sánchez e ka paraqitur garën si një përballje mes forcave progresiste dhe atyre që, sipas tij, synojnë ta kthejnë vendin pas.

Rezultati i zgjedhjeve do të përcaktojë nëse socialistët do të arrijnë të mbajnë pushtetin apo nëse Partia Popullore do të formojë një qeveri të koalicionit me Vox./L.Fdritare.net