Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Protesta në Tiranë, 13 të arrestuar, 18-vjeçari akuzohet për tentativë vrasjeje ndaj policisë!

Protesta në Tiranë, 13 të arrestuar,  18-vjeçari akuzohet

13 persona janë arrestuar dhe 19 të tjerë janë proceduar penalisht pas protestës së zhvilluar më 28 nëntor në Tiranë.

Mes të arrestuarve është edhe një 18-vjeçar, i cili akuzohet për vrasje të punonjësit të policisë, mbetur në tentativë. Sipas policisë, i riu ka hedhur koktej molotov në drejtim të efektivëve pranë ish-hotel “Dajtit”, duke rrezikuar jetën dhe shëndetin e tyre.

"Kundërshtuan dhe goditën me sende të forta, lëndë piroteknike, bomba molotov, punonjësit e Policisë, bllokuan qarkullimin dhe dëmtuan pronën publike, arrestohen 12 shtetas dhe procedohen penalisht 19 të tjerë.

Gjatë tubimit të djeshëm u dëmtuan 17 punonjës Policie.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme, u arrestuan shtetasit:

-E. K., 32 vjeç, H. Xh., 18 vjeç, S. A., 53 vjeç, M. D., 47 vjeçe, B. H., 25 vjeç, E. D., 27 vjeç, L. V., 55 vjeç, E. C., 32 vjeç, K. J., 31 vjeç, Y. M., 38 vjeçe, Sh. Ç., 29 vjeç dhe D. Ç., 23 vjeç.

Gjithashtu, u proceduan penalisht 19 shtetas.

Specialistët për Hetimin e Krimit, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit, identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.

-Hodhi koktej molotov në drejtim të punonjësve të Policisë, duke rrezikuar jetën dhe shëndetin e tyre, arrestohet 18-vjeçari.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të veprimeve hetimore për evidentimin dhe dokumentimin e akteve të dhunshme gjatë protestës së zhvilluar dje, arrestuan në flagrancë shtetasin A. Q., 18 vjeç.

Arrestimi i tij u krye pasi, dje, pranë ish-hotel “Dajti”, hodhi koktej molotov në drejtim të punonjësve të Policisë të planizuar me shërbim, duke rrezikuar jetën dhe shëndetin e tyre.

Materialet procedurale u referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Vrasja e punonjësit të Policisë”, mbetur në tentativë, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse”, “Shkatërrimi i pronës”, “Goditja për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.", njofton policia./K.C/dritare.net