Shqipëria feston sot 82-vjetorin e Çlirimit!
Dritare.net

Shqipëria përkujton sot, më 29 nëntor, 82-vjetorin e Çlirimit nga pushtuesit nazifashistë, një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e vendit.
Më 29 nëntor të vitit 1944, me largimin e forcave të fundit gjermane nga Shkodra, Shqipëria shënoi përfundimin e pushtimit nazist dhe të Luftës Nacionalçlirimtare.
Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste më 7 prill 1939, ndërsa pas kapitullimit të Italisë, në shtator të vitit 1943, vendi ra nën pushtimin gjerman.
Përmes rezistencës antifashiste dhe luftës së partizanëve shqiptarë, vendi arriti të çlirohej, duke u radhitur në krah të koalicionit fitues antifashist të Luftës së Dytë Botërore.
Pas çlirimit të Tiranës më 17 nëntor 1944 dhe më pas të Shkodrës, Shqipëria i dha fund një periudhe më shumë se pesëvjeçare pushtimi.
Në kuadër të 82-vjetorit të Çlirimit, krerët më të lartë të shtetit pritet të zhvillojnë sot homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, pranë monumentit “Nëna Shqipëri”, ndërsa në qytete të ndryshme të vendit janë parashikuar ceremoni dhe aktivitete përkujtimore.
Edhe kryeministri Edi Rama ka uruar mëngjesin e sotëm shqiptarët përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Mirëmëngjes dhe bashkë me urimin për festën e Çlirimit, ju uroj një të diel të bukur”, shkruan Rama.
29 Nëntori është festë zyrtare në Shqipëri dhe një ditë nderimi për të gjithë ata që luftuan dhe dhanë jetën për lirinë e atdheut./dritare.net