Na ndiqni edhe në

Shqip

Gonxhja për Veliajn: Nuk besoj se do të dalë kundër PS-së! Po kalon momentin më të vështirë të jetës

Gonxhja për Veliajn: Nuk besoj se do të dalë kundër


Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka komentuar situatën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, që ndodhet në paraburgim, si dhe debatet për qëndrimet e tij të fundit ndaj kryeministrit Edi Rama.

Gjatë një interviste për emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV, Gonxhja u shpreh se situata që po kalon Veliaj është jashtëzakonisht e vështirë dhe se deklaratat e tij duhen parë edhe në kontekstin e rrethanave në të cilat ndodhet.

“E thënë nga vetë Veliaj, ajo që ai s'do bënte kurrë do ishte që do të godiste pas shpine Partinë Socialiste. Kështu që unë nuk e llogaris këtë skenar. Ai është pjesë e Partisë Socialiste. Mund të jetë momenti më i vështirë i jetës së tij. Të gjithë ne njerëzisht jemi solidarë. Kështu që unë i marr me rezervë një pjesë të mirë të deklaratave të tij”, tha Gonxhja.

Ministri theksoi se Partia Socialiste do të ndjekë procesin e saj për përzgjedhjen e kandidatit për Bashkinë e Tiranës, duke përjashtuar mundësinë që Veliaj të jetë sërish kandidat në rrethanat aktuale.

“Partia Socialiste ka një proces të rregullt, transparent, ka një proces legjitim të kandidatit, që edhe sikur të donim, nuk mund të jetë dot zoti Veliaj. Nuk mendoj se zoti Veliaj mund të jetë kundër një vendimi të Partisë Socialiste për zgjedhjet apo kandidaturën, sepse s'do kishte asnjë kuptim”, deklaroi ai.

Gonxhja foli edhe për pasojat që, sipas tij, ka sjellë mungesa e kryebashkiakut në drejtimin e Tiranës, duke e cilësuar situatën një vështirësi të madhe për administrimin e qytetit dhe për Partinë Socialiste në prag të zgjedhjeve vendore.

“Koston për këtë e ka marrë kryeqyteti, Tirana. Flas për koston e një bashkie pa kokë, pa kryetar, të cilit i është ndaluar fizikisht ushtrimi i detyrës dhe është në paraburgim. E ka vështirësuar shumë punën e ekipit të Bashkisë së Tiranës dhe na ka bërë të gjithëve që të hyjmë në zgjedhje me një minus dhe me një avari shumë të madhe”, u shpreh ministri.

I pyetur nëse mund të jetë vetë kandidati i socialistëve për Bashkinë e Tiranës, Gonxhja nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, por kujtoi përvojën e tij në administrimin e kryeqytetit, fillimisht përkrah Edi Ramës dhe më pas Erion Veliajt.

“Kam një lidhje me Tiranën, me Bashkinë e Tiranës. Kam punuar krah kryetarit Rama në mandatin e parë, e kemi transformuar qytetin atëherë për mirë. Kam punuar pastaj krah kryetarit tjetër të Bashkisë së Tiranës, që është Erion Veliaj, me parqet, rekreacionin. E di ku i qan e ku i dhemb qytetit. Di çdo mungesë e çdo hall të kryeqytetit”, tha Gonxhja.

Ai shtoi se nuk do t'i vendoste ambiciet personale mbi interesat e forcës politike që përfaqëson./dritare.net