A do të kandidojë për Tiranën? Ja si përgjigjet Blendi Gonxhja!
Dritare.net

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja, nuk e konfirmon dhe nuk e përjashton mundësinë e kandidimit për Bashkinë e Tiranës. I ftuar në emisionin “Shqip” nga Dritan Hila në Dritare TV, Gonxhja tha se ka një lidhje të fortë me kryeqytetin.
Por shtoi se Partia Socialiste do të hyjë në zgjedhje “me një minus dhe me një avari shumë të madhe”. Sipas tij, kjo vjen nga situata e Bashkisë së Tiranës, e cila ka mbetur pa kryetar pas paraburgimit të Erion Veliajt.
Pyetjes së Dritan Hilës: “Të shkon në mendje që në mes të asamblesë Edi Rama do të thotë ‘kandidati për Bashkinë e Tiranës, Blendi Gonxhja’, siç ia bëri Manastirliut? Ju keni një eksperiencë, keni qenë nënkryetar bashkie”, ministri iu përgjigj:
“Unë kam një lidhje të veçantë me Tiranën, me Bashkinë e Tiranës. Kam punuar krahas kryetarit Rama në mandatin e parë. E kemi transformuar qytetin atëherë për mirë. Kam punuar pastaj krahas kryetarit tjetër të Bashkisë së Tiranës, që është Erion Veliaj, me parqet dhe rekreacionin. E di ku qan e ku i dhemb qyteti, di çdo mungesë e çdo hall të kryeqytetit.
Është një angazhim shumë i fortë komunal, një angazhim shumë i fortë për ta bërë qytetin shumë më të jetueshëm. Qyteti ka probleme në këtë drejtim, sidomos te mobiliteti, trafiku, transporti, cilësia e jetës. Pjesa e jetës sociale besoj është ajo që unë bëj sot.
Pra, nga kjo pikëpamje, nuk diskutohet që hyj te disa prej personazheve në Partinë Socialiste që jeta i ka lidhur më shumë me këtë epiqendër të vendit tonë që është kryeqyteti dhe unë nuk i iki dot asaj. Pra, nuk diskutohet që unë jam aty, qoftë apo jo i diskutuar ndonjëherë për kandidat. Unë jam gjithë kohën me zemër e me shpirt aty, sepse jetoj në Tiranë, punoj në Tiranë dhe Tirana është pjesa kryesore.
Ajo që po pëson sot Tirana kozmopolitane, fyerjet, vandalizmat, më dhemb jashtëzakonisht shumë. Por nga ana tjetër ne duhet të jemi shumë, shumë racionalë në atë që bëjmë si trup politik. Në rast se unë do të veproja e do të mendoja individualisht, në rast se do të gaboja duke e vënë veten mbi rëndësinë e kauzës që na bashkon, nuk do të ishte korrekte nga ana ime.”/L.F-dritare.net