Gjuhëtari Xhevat Lloshi: Pse Kongresi i alfabetit u mbajt në Manastir!
Dritare.net
Pse u bë Manastiri vendi ku shqiptarët vendosën për alfabetin e përbashkët? Përgjigjen e kësaj pyetjeje e dha gjuhëtari Xhevat Lloshi në një intervistë me gazetaren Rudina Xhunga në DritareTV, me rastin e Ditës së Alfabetit.
Sipas Lloshit, zgjedhja e Manastirit nuk ishte e rastësishme. Në atë periudhë, qyteti përfaqësonte një qendër të rëndësishme administrative, ushtarake dhe diplomatike, ku kishin selitë e tyre edhe konsullata të huaja. Kjo prani i jepte Kongresit një rëndësi të veçantë dhe e vendoste çështjen e alfabetit shqiptar edhe në një kontekst më të gjerë ndërkombëtar.
Gjuhëtari thekson se Kongresi i Manastirit i vitit 1908 nuk ishte një ngjarje e papritur, por kulmimi i përpjekjeve shumëvjeçare të shqiptarëve për të pasur një alfabet të përbashkët. Një vendim që shkonte përtej gjuhës, pasi lidhej drejtpërdrejt me identitetin kombëtar dhe të ardhmen e shtetit shqiptar.
Vetëm katër vite më vonë, Shqipëria do të shpallte Pavarësinë. Siç nënvizon Lloshi, alfabeti ishte një nga themelet mbi të cilat do të ndërtohej shteti i ri shqiptar.
Manastiri nuk ishte thjesht vendi ku u bashkuan shkronjat e shqipes, por qyteti ku mori formë një nga vendimet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare./L.F-dritare.net