Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Mbrojtja e Thaçit: Nuk pajtohemi me mënyrën se si Haga e llogariti paraburgimin, do ta apelojmë

Mbrojtja e Thaçit: Nuk pajtohemi me mënyrën se si Haga e

Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar se do të apelojë vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë, lidhur me mënyrën e llogaritjes së kohës së kaluar në paraburgim, pas dënimit me 17 muaj burg për pengim të administrimit të drejtësisë.

Në një shkresë të dorëzuar më 23 nëntor në Dhomat e Specializuara të Kosovës, avokatja e Thaçit, Sophie Menegon, ka bërë të ditur se mbrojtja rezervon të drejtën për të kundërshtuar vendimin lidhur me vuajtjen e njëkohshme të dënimeve dhe llogaritjen e kohës së kaluar në paraburgim.

Më 17 nëntor 2026, Gjykata Speciale e shpalli Thaçin fajtor për disa vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, duke e dënuar me 17 muaj burg.

Sipas mbrojtjes, nëse Thaçit do t’i ishte njohur koha e kaluar në paraburgim që nga njoftimi për fletarrestimin në çështjen e dytë, dënimi prej 17 muajsh do të konsiderohej tashmë i vuajtur.

“Po t’i ishte njohur z. Thaçi koha e kaluar në paraburgim që nga njoftimi për fletarrestimin në Rastin 12, dënimi i tij në këtë rast do të konsiderohej i vuajtur dhe ai do të ishte liruar”, thuhet në argumentimin e avokates Menegon.

Mbrojtja ka bërë të ditur se për momentin nuk do të paraqesë kërkesa të veçanta lidhur me vazhdimin e paraburgimit, por rezervon të drejtën për të apeluar aktgjykimin, përfshirë mënyrën e llogaritjes së kohës së kaluar në paraburgim./dritare.net