Trump: FBI-ja po heton dyshimet për spiunazh kinez ndaj drejtuesit të Nvidia-s
Dritare.net

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se FBI-ja po heton një çështje të dyshuar spiunazhi kinez, që lidhet me drejtorin ekzekutiv të kompanisë Nvidia, Jensen Huang, dhe një grua të identifikuar si Alice Huang, e cila dyshohet se ka lidhje me shërbimet e inteligjencës kineze.
Trump bëri të ditur se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me Huang të hënën, pas raportimeve se ai mund të ketë qenë objektiv i një fushate spiunazhi nga Kina.
Sipas presidentit amerikan, ai e pyeti drejtpërdrejt drejtuesin e Nvidia-s nëse kishte pasur dijeni për identitetin e dyshuar të gruas. Huang i është përgjigjur se nuk kishte pasur asnjë ide se ajo mund të ishte spiune. Trump deklaroi se i beson versionit të tij.
Ndërkohë, autoritetet kineze kanë hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe spekulative, si dhe si përpjekje për të dëmtuar imazhin e Kinës.
Nga ana e saj, Nvidia ka bërë të ditur se ka angazhuar një hetim të pavarur për të shqyrtuar çështjen. Kompania theksoi se deri më tani nuk ka arsye të besojë se sekretet e saj tregtare apo siguria kombëtare janë komprometuar.
Sipas raportimeve të gazetës “The New York Times”, zyrtarët amerikanë të inteligjencës dyshojnë se Alice Huang, e njohur edhe si Huang Le, ka punuar për Pekinin. Ajo nuk ka lidhje familjare me drejtuesin e Nvidia-s.
Lajmi ka shkaktuar reagime edhe në tregjet financiare. Aksionet e Nvidia-s ranë me më shumë se 4% të hënën, duke i shkaktuar kompanisë një humbje prej rreth 250 miliardë dollarësh në vlerën e tregut.
Nvidia është kompania e dytë më e vlefshme në botë pas Apple dhe një prej aktorëve kryesorë në zhvillimin e inteligjencës artificiale, falë prodhimit të procesorëve që përdoren gjerësisht në këtë sektor.
Trump nuk dha detaje të mëtejshme mbi hetimin e FBI-së dhe as mbi kohën kur ai ka nisur. Ndërkohë, FBI-ja nuk pranoi të komentojë publikisht mbi çështjen./L.F-dritare.net