Erdhën në Shqipëri për të dhënë lajmin e bukur, përfunduan në tragjedi! Historia e çiftit shqiptar nga Kanadaja
Dritare.net

Një udhëtim familjar nga Kanadaja drejt Shqipërisë është kthyer në një përvojë tragjike për Kristian dhe Adriana Gjonin, çiftin shqiptar që jeton në Toronto. Ata kishin ardhur gjatë verës për t'u dhënë familjarëve lajmin se prisnin fëmijën e tyre të parë, por në aeroportin e Rinasit gjithçka mori një tjetër rrjedhë.
Autoritetet shqiptare zbuluan 23.15 kilogramë kanabis në një valixhe që Kristiani këmbëngul se nuk ishte e tij. Ai u arrestua nën akuzën e trafikut të drogës dhe, sipas dëshmisë së tij, kaloi katër ditë në izolim.
Ndërkohë, bashkëshortja e tij, Adriana, u dërgua në spital për shkak të dhimbjeve të forta. Sipas investigimit të televizionit kanadez CTV News, përmes emisionit W5, autoritetet shqiptare kishin pretenduar se shtatzënia ishte e sajuar. Megjithatë, dokumentet mjekësore të shqyrtuara nga gazetarët konfirmuan se Adriana ishte shtatzënë dhe se më pas kishte pësuar abort spontan. Nuk është përcaktuar nëse ngjarja dhe stresi i përjetuar shkaktuan humbjen e shtatzënisë.
Investigimi ngre dyshime se Kristiani mund të ketë qenë viktimë e një skeme të ndërrimit të etiketave të bagazheve në aeroportin Pearson të Torontos. Sipas dokumenteve të siguruara nga CTV News, Policia Mbretërore Kanadeze (RCMP) ka konfirmuar se çifti kishte dorëzuar vetëm katër valixhet e veta dhe beson se etiketa e njërit prej bagazheve mund të jetë vendosur mbi valixhen me drogë.
Kristiani është liruar nga paraburgimi dhe është kthyer në Kanada, por duhet të paraqitet çdo katër muaj pranë autoriteteve shqiptare. Procesi gjyqësor pritet të nisë në fillim të vitit 2027, ndërsa ai rrezikon deri në 15 vite burg nëse shpallet fajtor./dritare.net