Studimi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë: Mbyllja e negociatave në 2027, objektiv i arritshëm!
Dritare.net

Shqipëria dhe Mali i Zi konsiderohen dy vendet më të avancuara të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Një studim nga Parlamenti Evropian vlerëson përparimin e ndjeshëm të Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit, duke e cilësuar objektivin për mbylljen e tyre në vitin 2027 si ambicioz, por të mundshëm.
Studimi, i përgatitur për Komitetin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET) dhe i publikuar në nëntor 2026, analizon ecurinë e Shqipërisë dhe Malit të Zi, duke evidentuar si rezultatet pozitive, ashtu edhe sfidat që mbeten përpara anëtarësimit.
Sipas dokumentit, pas vitit 2022 Shqipëria ka përshpejtuar ndjeshëm procesin e integrimit, duke hapur të gjashtë grupkapitujt e negociatave në kohë rekord. Në korrik 2026, vendi mbylli edhe tre kapitujt e parë, duke shënuar një tjetër hap drejt përfundimit të procesit.
Një nga vlerësimet pozitive lidhet me reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit. Studimi veçon punën e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilat kanë krijuar një bilanc në rritje të hetimeve për korrupsionin në nivele të larta. Megjithatë, ekspertët theksojnë se rezultatet duhet të konsolidohen më tej, veçanërisht sa u përket dënimeve përfundimtare. Shqipëria vlerësohet gjithashtu për përafrimin e legjislacionit me standardet europiane dhe për përputhjen e qëndrueshme me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian. Një tjetër element pozitiv është mbështetja e qytetarëve për integrimin europian. Sipas studimit, mbi 92% e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin në BE, një nga nivelet më të larta në Ballkanin Perëndimor.
Problemet që mbeten për Shqipërinë
Pavarësisht përparimit, dokumenti evidenton dobësi në funksionimin e institucioneve, administratën publike, qeverisjen demokratike dhe zbatimin e reformave. Ekspertët vërejnë se përafrimi i ligjeve shqiptare me legjislacionin europian ka ecur më shpejt sesa përmirësimi real i funksionimit të institucioneve. Vëmendje e veçantë i kushtohet shtetit ligjor, luftës kundër korrupsionit dhe kapaciteteve administrative. Sipas studimit, përparimi në këto fusha do të jetë vendimtar për përfundimin me sukses të negociatave.
Kur mund të anëtarësohet Shqipëria në BE?
Studimi dallon mbylljen e negociatave nga anëtarësimi i plotë. Ndërsa Shqipëria synon përfundimin e negociatave në vitin 2027, shumica e ekspertëve të konsultuar parashikojnë anëtarësimin në vitet 2029–2030. Për Malin e Zi, që synon mbylljen e negociatave në fund të vitit 2026, parashikimi kryesor është anëtarësimi në vitin 2028. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se procesi mund të përballet me pengesa politike brenda vetë Bashkimit Evropian. Traktatet e anëtarësimit duhet të ratifikohen nga të gjitha vendet anëtare, çka mund të sjellë vonesa edhe nëse vendet kandidate përmbushin detyrimet e tyre. Një skenar më pesimist parashikon shtyrjen e anëtarësimit të Shqipërisë deri në vitin 2035.
Pengesat politike brenda Bashkimit Evropian
Studimi ndalet edhe te strategjia e re e zgjerimit, përfshirë propozimin franko-gjerman për integrimin gradual të vendeve kandidate në institucionet dhe tregun e përbashkët europian përpara anëtarësimit të plotë. Sipas ekspertëve, kjo qasje mund të sjellë përfitime konkrete, por nuk duhet të zëvendësojë perspektivën e anëtarësimit. Dokumenti thekson se pengesat kryesore për zgjerimin e ardhshëm të BE-së po bëhen gjithnjë e më shumë politike sesa teknike. Përveç përmbushjes së kushteve nga vendet kandidate, rëndësi vendimtare do të ketë gatishmëria e vetë Bashkimit Europian për të pranuar anëtarë të rinj.
Në përfundim, studimi i rekomandon Parlamentit Europian të mbajë zgjerimin në qendër të agjendës politike, të mbështesë përshpejtimin e negociatave dhe të nxisë përgatitjet institucionale e financiare për anëtarësimet e ardhshme.
Ekspertët vlerësojnë se Shqipëria dhe Mali i Zi mund të shërbejnë si shembuj për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ndërsa përparimi i tyre do të jetë një provë e rëndësishme për besueshmërinë e politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian./K.C/dritare.net