Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

NATO shtyu samitin e vitit 2027 në Shqipëri, Rutte shpjegon arsyet!

NATO shtyu samitin e vitit 2027 në Shqipëri, Rutte shpjegon arsyet!

NATO nuk do ta zhvillojë në Shqipëri samitin e udhëheqësve të planifikuar për vitin 2027. Aleanca ka vendosur të reduktojë takimet e nivelit të lartë, në një kohë kur mes vendeve anëtare ka tensione lidhur me shpenzimet për mbrojtjen, Iranin dhe luftën në Ukrainë, raporton agjencia amerikane e lajmeve Associated Press.

Kryeministri Edi Rama deklaroi të enjten se ende nuk ka një qëndrim të përbashkët për datën e zhvillimit të samitit, por konfirmoi se ai nuk do të mbahet në vitin 2027.

“Ende nuk ka një qëndrim të përbashkët se kur do të zhvillohet samiti, por me siguri jo në vitin 2027. Në vitin 2028, nëse do të ketë një samit, ai do të mbahet në Tiranë”, tha Rama.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e minimizoi rëndësinë e këtij ndryshimi, duke theksuar se Aleanca është fleksibël në organizimin e samiteve, informon dritare.net

“Ne jemi fleksibël me samitet e NATO-s. I zhvillojmë ato kur kemi nevojë”, deklaroi Rutte për AP, duke shtuar se takimi i ardhshëm do të mbahet kur të jetë i nevojshëm.

Sipas Associated Press, organizimi i samitit në Shqipëri kishte nxjerrë në pah disa nga sfidat e brendshme të Aleancës. Shqipëria ishte përzgjedhur në vitin 2025 për të pritur samitin e vitit 2027, por emri i saj u hoq nga deklarata përfundimtare e samitit të korrikut. Agjencia raporton se disa vende aleate mendonin se Shqipëria nuk po shpenzonte mjaftueshëm për mbrojtjen dhe hezitonin ta shpërblenin vendin me organizimin e ngjarjes më të rëndësishme të NATO-s.

Sipas parashikimeve, Shqipëria do të shpenzojë këtë vit 2.15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen. Objektivi i NATO-s është që deri në vitin 2035, të 32 vendet anëtare të shpenzojnë 3.5% të PBB-së për mbrojtjen bazë dhe 1.5% për infrastrukturën e lidhur me mbrojtjen. Megjithatë, AP thekson se Shqipëria nuk është ndër vendet me performancën më të dobët në këtë drejtim, pasi Spanja, Belgjika dhe Sllovenia janë më prapa në përmbushjen e objektivave.

NATO redukton edhe takimet ministrore
Ndryshimet nuk prekin vetëm samitet e udhëheqësve. NATO ka vendosur të reduktojë edhe takimet e ministrave të Mbrojtjes dhe të Jashtëm.

Ministrat e Mbrojtjes zakonisht mblidhen në tetor, por këtë vit nuk u zhvillua një takim i tillë dhe as për tetorin e vitit 2027 nuk është planifikuar ndonjë mbledhje. Ndërkohë, ministrat e Jashtëm do të kenë vetëm një takim vitin e ardhshëm, në vend të dy takimeve të zakonshme.

Sipas NATO-s, këto ndryshime janë pjesë e një pakete riorganizimi.

AP kujton gjithashtu se sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio, kanë munguar në takime të NATO-s ose janë larguar përpara përfundimit të tyre.

Kostot e larta të organizimit të samiteve
Një tjetër faktor që ndikon në organizimin e samiteve është kostoja e tyre e lartë financiare dhe politike. Holandës iu desh një vit përgatitje dhe rreth 100 milionë dollarë për të organizuar samitin e vitit 2025 në Hagë.

Sipas zyrtarëve të cituar nga AP, NATO duhej të merrte një vendim për Shqipërinë deri në tetor, në mënyrë që vendi të kishte kohën e nevojshme për organizimin e samitit të vitit 2027.

Rutte theksoi se organizimi i një takimi me 32 vende anëtare, së bashku me partnerët e NATO-s nga rajoni i Indo-Paqësorit, kërkon masa të mëdha sigurie dhe shpenzime të konsiderueshme.

A ka nevojë NATO për një samit çdo vit?
Ekspertët e sigurisë vlerësojnë se Aleanca nuk ka domosdoshmërisht nevojë për një samit të udhëheqësve çdo vit, veçanërisht kur nuk ka vendime të rëndësishme për t'u marrë.

David Cattler, ekspert në Qendrën për Analizën e Politikave Europiane dhe ish-zyrtar i lartë i inteligjencës së NATO-s, tha se në mungesë të çështjeve që kërkojnë praninë e 32 udhëheqësve, takimi mund të mos zhvillohet.

“Mund të kalojnë dy, ndoshta edhe tre vjet”, u shpreh ai.

NATO ka gjithashtu mundësinë e organizimit të samiteve virtuale në situata emergjente, siç ndodhi në shkurt të vitit 2022, pas nisjes së pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia./dritare.net