Na ndiqni edhe në

Bota

Pse Trump, Putin dhe Xi nuk mund ta sundojnë botën!

Pse Trump, Putin dhe Xi nuk mund ta sundojnë botën!

Si komunist, Xi Jinping duhet të jetë i njohur me thënien e Marksit se “Të gjitha faktet dhe figurat e mëdha të historisë botërore shfaqen, si të thuash, dy herë... Herën e parë si tragjedi, herën e dytë si farsë”.

Takimi i kësaj jave mes Xi-së, Donald Trampit dhe Vladimir Putinit është cilësuar gjerësisht si një përsëritje e samitit të Jaltës të vitit 1945, mes Çërchillit, Roseveltit dhe Stalinit. Pra, a janë Xi, Trampi dhe Putini “tre të mëdhenjtë” e rinj? Dhe a ka më shumë gjasa që takimi i tyre të përfundojë në tragjedi apo në farsë?

Një element farse është gjithmonë një mundësi e madhe kur përfshihet Trampi. Në fakt, në të njëjtën vepër ku Marksi bëri vërejtjen e tij të famshme për tragjedinë dhe farsën, ai reflektoi gjithashtu mbi rrethanat që “bënë të mundur që një mediokritet grotesk të luante rolin e një heroi”. (Mediokriteti që ai kishte parasysh ishte Napoleoni III i Francës.)

Një përfundim potencialisht tragjik i samitit në Shenzhen është gjithashtu mjaft i lehtë për t’u përfytyruar. Nëse gjërat shkojnë shumë keq, tre udhëheqësit mund të përfundojnë duke rënë dakord të njohin “interesat thelbësore” të njëri-tjetrit, për të përdorur një shprehje që Kina e ka për zemër.

Ata mund të mbështesin këndvështrimin rus për luftën në Ukrainë dhe këndvështrimin kinez për të ardhmen e Tajvanit. Trampi mund të marrë njëfarë ndihme për Iranin ose disa “fitore” për ekonominë amerikane.

Megjithatë, kohëzgjatja e shkurtër dhe struktura e takimit e bëjnë të pamundur që të arrihen marrëveshje të reja thelbësore. Në fakt, për arsyet e tyre, të tre udhëheqësit mund të jenë të kënaqur vetëm me simbolikën e një fotografie të përbashkët.

Putini ka qenë prej kohësh i shqetësuar nga frika se Rusia po humbet statusin e saj si një nga fuqitë e mëdha të botës. Ish-presidenti amerikan Barack Obama tha dikur se udhëheqësi rus dukej si një fëmijë i mërzitur në fund të klasës gjatë takimeve ndërkombëtare.

Prandaj, një fotografi e presidentit të Rusisë, duke qëndruar pranë udhëheqësve të SHBA-së dhe Kinës, dy fuqive më të mëdha botërore, do të jetë një fitore e madhe simbolike për Putinin.

Simbolika e pushtetit është gjithashtu shumë e rëndësishme për Xi-në. Ai e ka bërë “rilindjen e madhe të popullit kinez” temën e tij qendrore dhe synon qartazi të sigurojë një mandat të katërt si udhëheqës i Partisë Komuniste vitin e ardhshëm, përcjell dritare.net

Legjitimiteti i Xi-së brenda vendit dhe imazhi i tij ndërkombëtar janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin. Të dy mund të forcohen nga një fotografi e samitit që e paraqet atë si mikpritësin bujar në qendër të ngjarjeve, me presidentët vizitorë të SHBA-së dhe Rusisë në të dyja anët e tij.

Pas poshtërimit të zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, edhe Trampi mund ta shijojë mundësinë për të riafirmuar fuqinë dhe statusin e tij në skenën botërore. Qeveria kineze është eksperte në përkëdheljen e egove të udhëheqësve botërorë që e vizitojnë vendin.

Sigurisht, ekziston gjithmonë mundësia që një takim i organizuar për fotografi të shndërrohet në diçka më thelbësore, veçanërisht nëse ai zgjat më shumë sesa ishte parashikuar. Putini mund të përpiqet ta fusë Ukrainën në rendin e ditës. Dhe Trampi ka një histori të prirjes drejt qëndrimit rus për Ukrainën pas bisedave me Putinin.

Në mënyrë të ngjashme, Trampi ka përsëritur qëndrime kineze për Tajvanin pas takimeve të mëparshme me Xi-në. Për shembull, majin e kaluar ai i paralajmëroi tajvanezët të mos ndërmerrnin hapa destabilizues drejt pavarësisë.

Por deklaratat e Trampit janë kaq të paparashikueshme dhe të hapura ndaj ndryshimeve, saqë nuk kanë peshën e deklaratave të presidentëve të mëparshëm amerikanë. Edhe nëse ai bën lëshime të papritura në Shenzhen, ndihmësit dhe aleatët e tij ka të ngjarë t’i zbusin ato pas takimit.

Trampi ka thënë se dëshiron të diskutojë çarmatimin bërthamor. Kjo është një temë e rëndësishme, pasi traktatet kryesore për kontrollin e armëve bërthamore kanë skaduar. Armët bërthamore janë gjithashtu një temë e preferuar për rusët, pasi arsenali i tyre i madh, më i madhi në botë, është një nga pretendimet e pakta që u kanë mbetur për statusin e një fuqie të madhe.

Por Kina, e cila po e zgjeron me shpejtësi arsenalin e saj më të vogël bërthamor, e ka bërë të qartë se aktualisht nuk është e interesuar për bisedime mbi kufizimin e armëve bërthamore. Prandaj, nuk ka gjasa të arrihet ndonjë përparim i rëndësishëm në këtë drejtim.

Në një kuptim më të gjerë, stili kinez i diplomacisë është të shmangë diskutimet e lira dhe përfundimet e papritura. Preferenca e Xi-së për t’iu përmbajtur rreptësisht një skenari të përgatitur paraprakisht është një tjetër arsye pse takimi trepalësh në Shenzhen nuk ka gjasa të sjellë rezultate që do të tronditnin botën.

Por arsyeja më e rëndësishme pse krahasimet me takimin e Tre të Mëdhenjve në vitin 1945 janë çorientuese shkon shumë përtej vetë udhëheqësve të përfshirë. Ne thjesht po jetojmë në kohë shumë të ndryshme.

Në Jaltë, Çërçilli, Rosevelti dhe Stalini u takuan në mes të një lufte botërore që po riformësonte rendin global. Forcat britanike dhe amerikane kishin luftuar tashmë për të hyrë në Gjermani. Ushtria ruse ishte më pak se tre muaj larg hyrjes në Berlin. SHBA-ja ishte gjashtë muaj larg hedhjes së bombës së parë atomike.

Në të kundërt, “tre të mëdhenjtë” e sotëm duken shumë më pak të aftë për t’ia imponuar vullnetin e tyre botës. SHBA-ja ka dështuar të mposhtë Iranin, pasi më parë kishte dështuar të mposhtte talebanët në Afganistan.

Pas më shumë se katër vjetësh lufte brutale, më gjatë sesa iu desh Stalinit për të arritur në Berlin, forcat e Putinit janë ende të bllokuara në Ukrainën lindore. Ndërsa Xi ende nuk ka gjetur mënyrën se si ta nënshtrojë Tajvanin, një ishull me 23 milionë banorë, vetëm 100 milje larg Kinës.

Fatmirësisht, ne nuk jetojmë më në një kohë kur “tre të mëdhenjtë” mund t’i diktojnë kushtet pjesës tjetër të botës./Përshtati nga Financial Times nga Dritare.net