Shpërthim me eksploziv në makinën e bashkëshortjes së Idajet Beqirit, dyshohet se autorët e vëzhguan prej ditësh
Dritare.net

Një automjet në pronësi të avokates Nexhi Beqiri, bashkëshortes së avokatit të njohur Idajet Beqiri, shpërtheu mëngjesin e së martës në rrugën “Nikolla Lena” në Tiranë, pranë Gjykatës Civile. Nga shpërthimi pati vetëm dëme materiale, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Në momentin e shpërthimit, rreth orës 09:15, çifti i avokatëve ndodhej në Bruksel. Automjeti tip “Benz”, i regjistruar në emër të Nexhi Beqirit, kishte disa ditë i parkuar poshtë banesës së tyre, pasi bashkëshortët ndodheshin jashtë vendit.
Sipas të dhënave paraprake, makina pësoi dëme të mëdha, veçanërisht në pjesën e pasme. Fatmirësisht, nga ngjarja nuk pati persona të lënduar.
Hetuesit dyshojnë se autorët mund ta kenë vëzhguar për disa ditë avokatin Idajet Beqiri dhe të kenë përfituar nga mungesa e tij për të vendosur lëndën plasëse në automjetin që qëndronte i parkuar.
Policia po shqyrton pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, me qëllim identifikimin e personave që mund të kenë lidhje me shpërthimin. Ende nuk është përcaktuar se kur është vendosur eksplozivi në automjet.
Një nga pistat që po shqyrtohet lidhet me një mesazh të mundshëm kërcënues për shkak të aktivitetit profesional të avokatit Idajet Beqiri dhe denoncimeve të shumta që ai ka bërë ndër vite. Megjithatë, deri tani nuk ka një përfundim zyrtar mbi motivet e shpërthimit./L.F-dritare.net