Një Shqipëri e dobët është një lajm i keq për të gjithë shqiptarët!
Dritare.net

Shqipëria nuk është vetëm e shqiptarëve që jetojnë brenda kufijve të saj. Ajo është një pikë referimi për shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë së Veriut, të Malit të Zi, të Luginës së Preshevës dhe kudo në rajon.
Prandaj, ajo që po ndodh sot në Tiranë nuk është thjesht një krizë e brendshme politike. Është një zhvillim që mund të ketë pasoja shumë më të gjera sesa mendojmë.
Një Shqipëri e dobët dobëson edhe peshën politike të shqiptarëve në Ballkan.
Kosova ka ende përpara sfida të mëdha për njohjen ndërkombëtare, sigurinë dhe konsolidimin e shtetësisë së saj. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të përballen me sfidën e përfaqësimit, barazisë dhe ruajtjes së të drejtave të fituara. Shqiptarët e Luginës së Preshevës kërkojnë më shumë të drejta, ndërsa ata të Malit të Zi përpiqen të ruajnë identitetin dhe peshën e tyre politike.
Në të gjitha këto përpjekje, një Shqipëri e fortë, demokratike, e qëndrueshme dhe e respektuar ndërkombëtarisht është një mbështetje e pazëvendësueshme.
Por çfarë ndodh kur Shqipëria shfaqet para botës si një vend në flakë!
Çfarë mesazhi u dërgojmë partnerëve tanë europianë dhe amerikanë? Çfarë imazhi krijojmë te fqinjët tanë? Dhe mbi të gjitha, çfarë mbështetjeje mund të ofrojë një shtet i përfshirë në kriza të vazhdueshme për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të tij?
Imazhi ndërkombëtar i Shqipërisë nuk është çështje krenarie boshe kombëtare. Është kapital politik dhe diplomatik.
Sa më e besueshme të jetë Shqipëria, aq më e fortë është fjala e saj kur flet për Kosovën, për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut apo për shqiptarët në vendet e tjera të rajonit.
Dhe e kundërta: sa më shumë Shqipëria të identifikohet me destabilitetin, dhunën dhe institucione të pafuqishme, aq më e dobët bëhet aftësia e saj për të ndikuar në proceset rajonale.
Natyrisht, shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera kanë institucionet, përfaqësuesit dhe zërin e tyre. Por një Shqipëri e respektuar ua shton peshën. Një Shqipëri e dobët ua vështirëson përpjekjet.
Kjo është arsyeja pse ajo që ndodh sot në Tiranë nuk duhet parë vetëm përmes betejës mes qeverisë dhe opozitës. As te ngazelleje ndjekes te pandjeshem ndaj shqiptarise te forcave politike andej e ketej kufirit.
Në një Ballkan ku historia ende peshon, ku marrëdhëniet mes shteteve mbeten delikate dhe ku interesat gjeopolitike përplasen, destabilizimi i Shqipërisë nuk është një luks që mund t’ia lejojmë vetes.
Nuk duhet të harrojmë se për shumë shqiptarë jashtë kufijve, Shqipëria është më shumë se një shtet fqinj. Është vendi ku ata duan të shohin siguri, zhvillim, dinjitet dhe një zë të fortë ndërkombëtar.
Shqipëria nuk ka detyrë vetëm të mbrojë demokracinë e saj. Ajo ka edhe përgjegjësinë historike të mos bëhet një faktor dobësie për shqiptarët e rajonit.
Sot, më shumë se kurrë, na duhet një Shqipëri që prodhon stabilitet, solidaritet, besim dhe ulet në tryezat ndërkombëtare me autoritet, jo me barrën e krizave të saj.
Sepse kur Shqipëria humbet peshë, nuk humbasin vetëm shqiptarët e Shqipërisë. Kështu humbasim të gjithë. /dritare.tv