Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

“Pendimi” i Sokol Krajës

“Pendimi” i Sokol Krajës

Pronarin e kompanisë “Capital Resources”, Sokol Krajën, e takova rastësisht, pas shumë vitesh nga hera e fundit që ishim takuar. Pyetjes sime rreth ecurisë së punëve, ai iu përgjigj me një deklarim që më bëri të ndalem e të mendohem: sikur t’i duhej të niste edhe një herë nga fillimi, me siguri nuk do të investonte në një biznes prodhues.

Ky pohim më shtyu ta zhvendosja vëmendjen te performanca e kompanisë “Capital Resources” gjatë vitit 2025. Shifrat flisnin për një biznes të admirueshëm, me mbi 25 milionë euro xhiro dhe më shumë se 2.5 milionë euro fitim. Edhe ne dallim nga në vit më parë kompania ka rritje te mirë të volumt të aktivitetit. Pra, një kompani e shëndetshme financiarisht, me një aktivitet të konsoliduar, që operon në tregun e brendshëm dhe ka ndërtuar praninë e saj edhe në tregjet e huaja. Atëherë, çfarë e shtyn një sipërmarrës si Sokol Kraja të shfaqet i “lodhur” nga biznesi i tij i suksesshëm? Çfarë nuk shkon në një aktivitet që, të paktën në pamje të parë, duket se i ka të gjitha arsyet për të qenë një histori suksesi?

“Janë një mori problemesh”, nis të shpjegojë ai. Procesi i prodhimit është shumë i vështirë. Tregu shqiptar është i vogël dhe, nëse dëshiron të rritesh, dalja në eksporte bëhet e domosdoshme. Por tregjet ndërkombëtare kanë kërkesat e tyre, ku cilësia nuk është një objektiv që mund ta arrish një herë e pastaj ta marrësh të mirëqenë. Duhet ta garantosh çdo ditë, në çdo produkt dhe në çdo marrëdhënie me klientin. Kështu, sipërmarrësi gjendet në një provim të përhershëm, nën një trysni që nuk të lejon të relaksohesh as kur rezultatet janë të mira. Për më tepër, kjo përpjekje ndërlikohet nga problemet që shoqërojnë mjedisin ku zhvillohet aktiviteti.

Fitimet e siguruara, shpjegon Kraja, shkojnë thuajse të gjitha për riinvestime. Jo sepse biznesi nuk fiton, por sepse duhet të investosh vazhdimisht për të garantuar cilësinë, për të ruajtur aftësinë konkurruese dhe për të mos mbetur pas në një treg ku konkurrenca nuk të fal. Në njëfarë mënyre, suksesi i sotëm nuk të garanton asgjë për të nesërmen. Përkundrazi, sa më shumë rritesh, aq më e madhe bëhet përgjegjësia për ta ruajtur atë që ke ndërtuar.

Por problemi më i madh, sipas tij, është fuqia punëtore. Kraja tregon me humor të hidhur se puna ka arritur deri aty sa edhe një vërejtje apo kritikë ndaj punonjësve duhet të përcillet me shumë kujdes. Duhet të zgjedhësh fjalët, të gjesh mënyrën e duhur të komunikimit, të mos krijosh pakënaqësi, sepse ekziston rreziku që punonjësi të heqë përparësen e punës dhe të largohet.

Një situatë që, e treguar kështu, mund të duket komike, por që për një sipërmarrës prodhues është një shqetësim krejt real. Në fund të fundit, një fabrikë nuk funksionon vetëm me makineri, teknologji, kapital dhe porosi. Ajo ka nevojë për njerëz që dinë ta kryejnë punën, që janë të gatshëm të mësojnë dhe që qëndrojnë në vendin e tyre të punës. Kur sigurimi i tyre bëhet një sfidë më vete, edhe menaxhimi i përditshëm kthehet në një përpjekje të lodhshme.

Dhe pikërisht këtu nis paradoksi i “pendesës” së Sokol Krajës. Nëse do ta gjykonim vetëm nga shifrat, do të kishim përpara një sipërmarrës që ka çdo arsye të jetë i kënaqur me atë që ka arritur. Mbi 25 milionë euro aktivitet dhe më shumë se 2.5 milionë euro fitim nuk janë rezultate të zakonshme. Ato dëshmojnë se biznesi funksionon, se produktet gjejnë treg dhe se kompania ka arritur të ndërtojë një pozicion konkurrues. Por shifrat e bilancit nuk tregojnë gjithçka. Ato nuk pasqyrojnë orët e pafundme të punës, stresin e përditshëm, pasigurinë për të ardhmen, vështirësitë e gjetjes së punonjësve apo nevojën për të investuar vazhdimisht vetëm për të ruajtur pozicionin e fituar. Fitimi është një rezultat financiar. Suksesi, për një prodhues, është një betejë që duhet fituar përsëri çdo ditë.

Në këtë kuptim, “pendesa” e Sokol Krajës nuk është domosdoshmërisht një mohim i asaj që ka arritur. Është më tepër shprehje e lodhjes nga një rrugëtim ku rezultatet e mira nuk e lehtësojnë domosdoshmërisht barrën e sipërmarrjes. Ndoshta, po të niste nga e para, ai do të zgjidhte një aktivitet që i kursen një pjesë të këtyre vështirësive. Por kjo nuk e ndryshon faktin se ka ndërtuar një biznes të suksesshëm në një prej fushave më të vështira të ekonomisë.

Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse sipërmarrësit që investojnë në prodhim meritojnë një vlerësim të veçantë. Të prodhosh do të thotë të krijosh vlerë, të punësosh njerëz, të investosh në kapacitete, të përballesh me konkurrencën dhe të kërkosh tregje përtej kufijve të vendit. Do të thotë të marrësh përsipër një barrë që nuk mbaron me shitjen e produktit dhe as me mbylljen e një viti financiar me fitim. Në një ekonomi ku shpesh suksesi matet me madhësinë e xhiros, me pasuritë e grumbulluara apo me shpejtësinë e fitimit, biznesi prodhues ka një meritë shtesë: pas shifrave të tij qëndron një proces i tërë krijimi dhe një përgjegjësi e vazhdueshme për ta mbajtur atë në këmbë.

Prandaj, nëse Sokol Kraja do të kishte vërtet arsye të pendohej që zgjodhi prodhimin, kjo nuk është arsye për ta vlerësuar më pak. Përkundrazi. Ndoshta, pikërisht për shkak të vështirësive që e bëjnë të mendojë se nuk do ta niste më nga e para, ai meriton edhe më shumë respekt për atë që ka ndërtuar.

Sepse të jesh sipërmarrës prodhues nuk do të thotë thjesht të kesh një biznes fitimprurës. Do të thotë të kesh zgjedhur një nga rrugët më të vështira për të krijuar vlerë ekonomike. Dhe të vazhdosh të ecësh në të, edhe atëherë kur, pas shumë vitesh, e pranon me një buzëqeshje të hidhur se, po të kishe mundësi të ktheheshe pas, ndoshta do të zgjidhje një rrugë tjetër.

Burimi: Biznesmenët Shqiptarë