Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kryeministri Rama viziton Shtëpinë Muze të Alfabetit Shqip në Manastir

Kryeministri Rama viziton Shtëpinë Muze të Alfabetit Shqip

Në vijim të vizitës në Maqedoninë e Veriut, Kryeministri Rama vizitoi sot Shtëpinë Muze të Alfabetit Shqip në Manastir, në Maqedoninë e Veriut, qytetin historik ku 118 vjet më parë u mbajt Kongresi i Manastirit, një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, që përcaktoi alfabetin e përbashkët të gjuhës shqipe.

Në këtë ditë të shënuar, 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit, Kryeministri Rama vlerësoi rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit, si një akt bashkimi përtej dallimeve krahinore, fetare dhe kulturore, që u dha shqiptarëve një gjuhë të përbashkët të shkruar dhe hodhi themelet për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit dhe kulturës kombëtare.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Kryeministri theksoi nevojën për ta parë mbrojtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe përtej kufijve, në kushtet e sfidave që teknologjia digjitale dhe komunikimi global paraqesin për gjuhët e vendeve të vogla.

Kryeministri Rama:

Të dashur miq,

Në historinë e Ballkanit ka plot shtëpi ku burra të rëndësishëm ose më pak të rëndësishëm janë ulur rreth një oxhaku për të vendosur për një luftë, për një kufi apo për një gjak të marrë ose të falur. Ndërsa këtu, në këtë shtëpi, 118 vjet më parë, njerëzit u ulën rreth një tryeze për të vendosur si do t'i shkruanin njëri-tjetrit nga Manastiri në Shkodër, nga Prishtina në Vlorë apo nga Durrësi në Korçë, ku secili mund të kishte mësuar ta hidhte shqipen në letër me shkronja të ndryshme. Dhe nëse kjo ishte një telash për dy dijetarë që donin të shkëmbenin letra, merret me mend se çfarë pengese ishte për një komb që s'kishte shkolla, s'kishte libra dhe asnjë gjuhë të shkruar bashkërisht për fatin e vet të përbashkët.

Këtu erdhën në ato ditë njerëz malesh, luginash e brigjesh deti, që faleshin në mënyra të ndryshme, që e flisnin shqipen me regjistra të ndryshëm dhe që, kur vinte puna te alfabeti, kishin parapëlqime krejt të ndryshme për shkronjat që do të merrnin përparësinë. Në fund, Kongresi pranoi dhe i hapi rrugën një tjetër uljeje rreth oxhakut, shumë dekada më vonë, kur gjuha shqipe u njësua në trupin që sot e gjithë ditën mbart bashkë kombin tonë.

Mes burrave të tij, Kongresi kishte dhe një grua të re nga ky qytet, Parashqevi Qiriazi. Ajo vinte nga Shkolla e Vashave në Korçë dhe një vit më pas botoi këtu, në Manastir, abetaren e saj. Sa herë flasim për ata që bënë historinë, mua më pëlqen të kujtoj këtë grua që, me t'u mbyllur Kongresi, u ul të shkruante një libër për gjashtëvjeçarët dhe, shumë vite më vonë, Parashqevi Qiriazi u bë frymëzim edhe për ne, kur miratuam abetaren e përbashkët me qeverinë e Kosovës.

Sot është e lehtë t'u duartrokasim atyre që bënë për gjuhën tonë punët e mëdha të së shkuarës, por pyetja pak më e vështirë është: çfarë pune na takon të bëjmë ne? Ka sot një fëmijë shqiptar në diasporë që e kupton çdo fjalë që i thotë gjyshja në telefon, po kur do t'i tregojë çfarë i ndodhi në shkollë, i kërkon ndihmë mamit, dhe ka një fëmijë në Tiranë apo në Prishtinë që flet shqip gjithë ditën, por po humbet përditë fjalë nga thesari i shqipes së shkruar, sepse shqipja është nën një agresion të madh, si të gjitha gjuhët e vendeve të vogla në këtë kohë të teknologjisë digjitale.

Prandaj unë them se qeveria e Shqipërisë, qeveria e Kosovës dhe të gjitha strukturat dhe institucionet që shqiptarët kanë sot në këtë rajon duhet të shohin më tutje, me një projekt afatgjatë për shqipen, mbi themelet që tanimë i kemi ndërtuar së bashku me abetaren e përbashkët dhe me tekstet që kemi punuar bashkë për mësimin shqip në distancë.

Do të ishte vërtet e pajustifikueshme përballë historisë që Tirana dhe Prishtina, sot së bashku me të tjerët përreth, në këtë hapësirë ku shqipja i gëzon të drejtat që nuk i ka pasur më parë, të ndërmerrnin së bashku përsipër ndërtimin e një biblioteke të madhe digjitale, të hapur për çdo fëmijë dhe çdo mësues shqiptar në mbarë botën, me libra që mund t'i lexosh ose t'i dëgjosh, me shkencë të treguar bukur në shqip, me letërsi për çdo moshë. Dhe do të ishte bukur që kjo nismë të merrte jetë nga një tryezë ku një mësuese nga Tirana, një mësuese nga Prishtina, një tjetër nga Tetova, një nga Ulqini dhe dy të tjera që japin shqip të shtunave në Athinë apo në Zyrih të uleshin dhe të na mësonin se çfarë ka munguar të hënën e shkuar në klasë. Dhe patjetër që besoj se do të mësojmë prej tyre në një orë më shumë sesa në mbledhje mes veti apo në shkresa që shkëmbejmë me njëri-tjetrin.

Edhe në Shqipëri sot, 22 Nëntori është një festë zyrtare dhe është vërtet bukur që një vend ka në kalendarin e vet një ditë për nder të alfabetit. Por për ne, dhe besoj edhe për qeverinë e Kosovës, së bashku, 22 Nëntori mund të ishte një ditë e bukur edhe për t'ia kushtuar llogaridhënies për ecurinë e gjuhës shqipe. Sa libra të rinj kanë mbërritur te fëmijët, sa mësues jashtë kufijve kemi ndihmuar, sa fëmijë që vjet e kuptonin shqipen sivjet arrijnë të lexojnë një tregim të tërë? Dhe këto janë, në fakt, pyetje për të cilat do të ishte interesuar shumë, besoj, Parashqevi Qiriazi.

Mirënjohje për të gjithë ata që e mbajtën në këmbë dhe e mbajtën në jetë këtë shtëpi të bekuar të historisë sonë. Mirënjohje dhe të gjithë atyre që punuan për këtë shtëpi muze, por edhe atyre që kontribuuan për këtë riinstalim të ri të muzeut, duke filluar nga ata që e morën këtë mision nga Shqipëria, duke vazhduar pa diskutim me ambasadorin tonë hiperaktiv në Shkup dhe, patjetër, pa lënë mënjanë edhe ata vendas këtu, nga Maqedonia e Veriut, që ishin pjesë e kësaj iniciative.

Dhe mbi të gjitha, falënderimi i veçantë për ta, për shqiptarët e këtushëm që e shpëtuan, e ruajnë dhe e çmojnë në këtë qytet këtë thesar të madh të shqiptarëve dhe të trashëgimisë kulturore të kombit tonë.

Gëzuar Ditën e Alfabetit, këtu nga Manastiri, të gjithë shqiptarëve kudo ku janë. Faleminderit shumë.